Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi e cilëson pamflet politik vendimin e Kushtetueses që e shpalli të ligjshëm dekretin për mandatimin e Avdullah Hotit për formimin e qeverisë së re.
“Kushtetuesja lëshoi një pamflet politik dhe nuk merret fare me çështjen problematike që është paraqitur pas mocionit të mosbesimit të suksesshëm. Realisht arsyeton dhe argumenton të drejtën e presidentit Thaçi, i cili nga 6 tetori është treguar element sabotues dhe shantazhues i vullnetit politik të përcaktuar nga votuesit me 6 tetor”, ka deklaruar Abazi.
Tutje Abazi ka thënë se askush nuk duhet të frikësohet nga zgjedhjet.
“Ne do të kërkojmë ashtu si shumica e qytetarëve të Kosovës që gjithmonë kur është në pikëpyetje përfaqësimi demokratik dhe pjesëmarrja e qytetarëve në këtë republikë parlamentare të shkojmë në zgjedhje. Nuk duhet të frikësohet askush nga vota e qytetarëve. Ata e rrëzuan qeverinë, dhe në mënyrë afirmative bëhet hapja e mundësisë për shpërbërjen e parlamentit dhe shkuarja në zgjedhje”, tha ai në RTV Ora.
E ndërsa në rrugë institucionale mundësia për zgjedhje të reja duket e pamundur, VV shpresat i ka te revoltat popullore.
“ADN e shtetit të Kosovës është te mobilizimi qytetar dhe refuzimi i shembjes së sistemit demokratik dhe kushtetues. Të gjitha raportet ndërkombëtare konfirmojnë se shteti është i kapur, instituciomet janë të kapura nga disa njerëz. Jemi lodhur me këto veprime të nëntokës, që kanë një emërues të përbashkët në 20 vite, që është Presidenti Thaçi që nuk lë as forma kërcënuese dhe asgjë tjetër për të sabotuar rendin demokratik të vendit”, tha Abazi./Gazeta Sinjali/