Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi, ka reaguar pas shkarkimeve në Telekomin e Kosovës, duke thënë se në të ardhmen ‘nipi nuk mund të emërojë dajën e tij si drejtor të Përgjithshëm të Telekomit’.
Bordi i Drejtorëve i Ndërmarrjes Publike Telekomi i Kosovës ka shkarkuar kryeshefin Ekzekutiv, Bedri Istrefin, dy zëvendës-kryeshefat dhe zyrtarin Kryesor financiar.
“Po e vërtetë, është e mundur. Herët a vonë do të ndodhë që nipi nuk mund të emërojë dajën e tij si drejtor të Përgjithshëm të Telekomit dhe milionat e buxhetit publik të përvetësohen, ndërsa njerëzit jetojnë në varfëri. #çkapja është e mundur me LVV”, ka shkruar Abazi në Facebook.
Reagimi i tij ishte mbishkrim mbi një postim të bashkëshortes së ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, Alison Kosnett e cila ka shkruar “Ai ka të drejtë. Çlirimi i shtetit të kapur është i mundur”. /Gazeta Sinjali/