Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës (AAK) ka reaguar fuqishëm lidhur me një postim të publikuar së fundmi në rrjetet sociale, i cili pretendon të jetë në emër të tyre, por që organizata e mohon kategorikisht si të pavërtetë dhe jozyrtar, shkruan Gazeta Sinjali.
Në një komunikatë të publikuanga zyra e Asociacionit në Prishtinë, theksohet se faqja në Facebook që përdor një emër dhe logo të ngjashme, por jo autentike, është e rreme dhe nuk ka asnjë lidhje me Asociacionin e Arkitektëve të Kosovës.
AAK saktëson se ata janë shoqata profesionale dhe legale me mbi dyzet vjet traditë në Kosovë dhe se përfaqësohen ligjërisht nga Kryesia, e cila përbëhet nga Kryetari, dy Nënkryetarë dhe gjashtë anëtarë të zgjedhur nga komuniteti i arkitektëve në mënyrë ligjore dhe statutare. Në komunikatë thuhet qartë:
“Faqja e FB-të e cila thirret në gjoja emër të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës është plotësisht e rreme, me logo të rreme (jozyrtare), dhe nuk ka të bëjë asgjë me organizatën tonë.”
Reagimi vjen pas një postimi që ka komentuar deklaratat e avokatit Shkëlqim Jakupi, duke përfshirë edhe inkriminimin e Odës së Avokatëve të Kosovës dhe kërkesën për heqjen e licencës së tij. Asociacioni sqaron se:
“Kërkesa dhe postimi i bërë nuk është nga shoqata zyrtare, pasi adresa e Facebook-ut dhe logoja që është keqpërdorur nuk janë tonat, dmth simbolet dhe akronimet zyrtare, të cilat janë të deponuara në institucionet gjegjëse të Kosovës dhe vërtetojnë lehtësisht këtë.”
AAK i bën thirrje publikut dhe komunitetit profesional të jenë të vetëdijshëm për këtë keqpërdorim dhe të mos i marrin seriozisht prononcimet nga faqet e tilla:
“Çdo prononcim nga kushdo qoftë dhe për çfarëdo teme, në emër të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, që bëhet jashtë Kryetarit – Kryesisë zyrtare të tij, është opinion i izoluar, i rremë, jokredibil, joligjor dhe nuk përfaqëson as Asociacionin, as mendimin dhe qëndrimin profesional të komunitetit të arkitektëve.”
Në komunikatën zyrtare, Asociacioni thekson se tendencat për përfitime politike apo personale përmes përdorimit të rremë të emrit dhe logos së tyre janë jo vetëm të papranueshme, por edhe vepra penale që duhet ndëshkuar sipas ligjit:
“Tendenca e faktorizimeve individuale, animeve politike për interesa të ngushta meskine dhe shtyrja e agjendave politike përmes prezentimit të rremë në emër të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës jo vetëm që është vepër penale dhe e denueshme me ligj, por edhe nuk zë vend në misionin, vizionin dhe rolin krucial që organizata jonë profesionale përfaqëson në jetën publike, profesionale, akademike dhe shkencore.”
AAK gjithashtu kërkon nga organet kompetente që të ndërhyjnë urgjentisht për të ndaluar këtë keqpërdorim dhe për të mbrojtur reputacionin e organizatës:
“Kërkojmë nga organet kompetente të Republikës së Kosovës që të trajtojnë këto raste me prioritet, seriozitet dhe ta ndëshkojnë keqpërdoruesin e një emri kredibil dhe të mirënjohur siç është Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës.”
Për më tepër, organizata bën një thirrje publike dhe profesionale për kujdes ndaj dezinformimeve të tilla dhe nxit që çdo mendim apo sugjerim i komunitetit të shprehet hapur dhe me përgjegjësi:
“Ju lusim për kujdes dhe vëmendje që prononcimet e tilla nën logon e rreme, si rasti i djeshëm, të mos merren seriozisht dhe injorimi i tyre të shërbejë si mesazh për ata që i përhapin. Çdo mendim, sugjerim apo vëzhgim që ka komuniteti, duhet të adresohen në organizatën tonë apo të shprehen me emër dhe mbiemër si minimum i guximit profesional.”
Në përfundim, Asociacioni thekson neutralitetin politik dhe përkushtimin ndaj ngritjes së profesioni të arkitektit dhe kontributit në zhvillimin e vendit:
“Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës është neutral në aspektin politik dhe nuk përfshihet në debatet ditore të subjekteve politike apo institucionale, përveç në rastet kur mendojmë se është i dëmtuar interesi i vendit dhe qytetarëve, duke dhënë këshilla, sugjerime dhe ekspertizë profesionale të nivelit më të lartë”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!