image AAK paralajmëron protesta nëse hiqet taksa kundër Serbisë dhe për autostradën e Dukagjinit

Kosovë

Politikë/ AAK paralajmëron protesta nëse hiqet taksa kundër Serbisë dhe për autostradën e Dukagjinit

news image

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Abrashi, pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Grupit Parlamentar të AAK-së, ka thënë se AAK mendon që taksa duhet të qëndrojë dhe se Kosova nuk ka instrumente politike për aplikimin e reciprocitetit, shkruan Gazeta Sinjali.

“Parimi i reciprocitetit nënkupton që marrëveshjet që i kemi nënshkruar në Bruksel prej vitit 2011 e tutje, e janë më se 46 marrëveshje, diku rreth 80% e tyre nuk janë aplikuar, e ne nuk kemi pasur asnjë instrument që të shtyjmë Republikë e Serbisë që me e apliku atë që jemi marrë vesh”, ka thënë ai.

“Taksa e ka sensibilizu më së shumti çështjen e Kosovës dhe vetë fakti që në tavolinë të bisedimeve ka ardhur Amerika në krye me ambasadorin Grenell dhe kancelarën Merkel, tregon që çështja e Kosovës në vitin 2020 do të zgjidhet”, ka thënë Abrashi.

Ai ka folur edhe për çështjen e autostradës së Dukagjinit.

“Aleanca do përdorë të gjitha metodat e saj demokratike, faktike, me argumentuar dhe me e mbrojtur tezën e taksës dhe vazhdimit të autostradës së Dukagjinit”, ka thënë Abrashi.

Në anën tjetër Pal Lekaj, nuk i ka përjashtuar as protestat në rast se hiqet taksa dhe për çështjen e autostradës.

 “AAK është e vendosur që me të gjitha metodat demokratike të mbajë taksën, por nuk i përjashtojmë as protestat e as veprimet tjera, ngase Kosova nëse e heq taksën i liron tregut të Serbisë 500 milion euro”, ka thënë Lekaj, duke i mbështetur deklaratat e kolegut të tij se taksa ia ka shtuar autonominë Qeverisë së Kosovës.

Abrashi ka thënë se vendimi për autostradë  mund të anulohet pa një argumentim plotësues dhe pa një debat publik , meqë për to janë kryer raporte para-fizibiliteti./Gazeta Sinjali/