Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është duke diskutuar me të gjitha partitë e vogla mundësinë që të garojnë me një listë të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme.
Këtë e ka konfirmuar për Sinjalin, deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj.
Ai ka thënë se të gjitha mundësitë do t’i diskutojnë sot nga ora 12:00, kur pritet të mbahet mbledhja e Këshillit Drejtues të AAK-së.
“Ne kemi diskutuar mundësinë e koalicionit me të gjitha partitë e vogla, me ato që kemi qenë në koalicion”, ka thënë Demaliaj.
Tutje, ai ka shtuar se këto mundësi do t’i diskutojnë sot nga ora 12:00.
“Sot kemi mbledhje. Mbledhjet e Këshillit Drejtues i thërrasim për çështje të jashtëzakonshme. Aty do të diskutohen koalicionet”, është shprehur ai.
Mbledhjen e sotme të AAK-së e ka konfirmuar për Sinjalin edhe shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Ahmet Isufi.
Ndërkaq deputetja e PDK-së, Besa Baftiu, ka thënë se edhe Këshilli i Përgjithshëm i kësaj partie do të mblidhet sot. /Sinjali
Kosovë