Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka bërë të ditur se është e gatshme të mbështesë formimin e institucioneve të reja vetëm nëse plotësohen një sërë kërkesash që, sipas saj, janë në interes të qytetarëve dhe zhvillimit të vendit.
Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka deklaruar se partia e tij nuk synon të bëhet pjesë e qeverisë, por ka disa kushte të qarta në rast se kërkohet mbështetja e saj për krijimin e institucioneve.
Ai ka theksuar se institucionet e reja duhet të pranojnë orientimin strategjik të vendit dhe të procedojnë menjëherë me projektin e gazit amerikan. Po ashtu, sipas tij, duhet të rritet pragu i TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro, të hiqet tatimi në pronë për tokat e punuara dhe të sigurohet financimi i plotë për projektet kryesore infrastrukturore, përfshirë rrugët për Gjilan, Pejë, Gjakovë dhe Podujevë.
“E para institucionet e reja duhet qartë të pranojnë orientimin strategjik, ta pranojnë projektin e gazit amerikan menjëherë. Institucionet duhet menjëherë ta ngrisin pragun e TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro. Menjëherë tokat e punuara të lirohen nga tatimi në pronë. Kërkojmë që institucionet menjëherë duhet t’i buxhetojnë si të plota ndërtimin e infrastrukturës jetike, si rruga për Gjilan, Pejë, Gjakovë, Podujevë, janë të buxhetuara prandaj nuk punohet. Të zotohen se për Prishtinën duhet të ndahen në 5 vjetët e ardhshme 800 milionë deri 1 miliard euro sepse po bëhet e pajetueshme”, ka thënë Gjini.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!