image A u inskenuan incidentet nga Jeton Buquku për ta shlyer borxhin milionësh te Demë Elshani? Sinjali sjellë detajet

Siguri

A u inskenuan incidentet nga Jeton Buquku për ta shlyer borxhin milionësh te Demë Elshani? Sinjali sjellë detajet

news image

E kaluara e biznesmenit nga Peja, Jeton Buquku dhe telashet e tij me ligjin jo rrallëherë kanë qenë publike. I dënuar për korrupsion dhe i dyshuar për vepra të tjera, Buquku ka nisur një ‘betejë’ me Adem Elshanin, i njohur si ‘Dema’ me të cilin kanë pasur raporte të mira vite më parë. Tri incidente të ndodhura te bizneset e familjes Buquku brenda pak muajve, Jeton Buquku ka deklaruar se dyshojnë se janë të porositura nga Demë Elshani. Çka fshihet pas këtij konflikti, a është një borxh milionësh mollë sherri apo një hakmarrje – Sinjali sjellë detajet.

Gjuajtja me armë te mishtorja ‘Buquku’ në dhjetor të vitit 2022, djegia e veturës së vëllait të Jeton Buqukut më 1 shkurt 2023 dhe hedhja e granatës te fabrika ‘Buquku’ në Cigë të Pejës janë tri incidentet në të cilat familja Buquku dyshon se ka gisht Demë Elshani.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht deklarimet e Jeton dhe Egzon Buqukut para Prokurorit të Shtetit në shtator 2023.

Katër personat e dyshuar për këto raste kanë qëndruar në paraburgim dhe të njëtit janë akuzuar nga Jeton Buquku se janë shtyrë nga Demë Elshani për t’i kryer veprat penale në fjalë pa dhënë ndonjë dëshmi për pretendimin e tij.

Në pyetjen e prokurorit se “a e keni kuptu se kush i ka shtyrë të dyshuarit për t’i kryer”, Jeton Buquku ka deklaruar se “në bazë të fjalëve që ai [Demë Elshani] i ka thënë vëllait, dyshojmë se i ka shti Dema me i bo këto vepra, meqenëse unë me asnjërin prej të pandehurve nuk jemi njohur.”

A ekziston një borxh që kalon shifrën prej 1 milion i Jeton Buqukut ndaj Demë Elshanit?

Sinjali ka mësuar se janë ngritur dyshime se familja Buquku i ka inskenuar rastet në fjalë gjoja se për ta ‘shlyer borxhin’ ndaj Demë Elshanit, që sipas burimeve kap vlerën e 1 milionë e 600 mijë euro.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se dy nga personat e arrestuar për incidentet e ndodhura kanë deklaruar se Jeton Buquku iu ka kërkuar që të dëshmojnë rrejshëm se Demë Elshani i ka porositur për t’i kryer këto vepra, për çka sipas tyre Buquku ka ofruar edhe mbrojtje.

Sipas deklaratave që ka parë Sinjali, Jeton Buquku e ka mohuar se ka borxh ndaj dikujt, duke e specifikuar se s’është borxhli as te Demë Elshani, me të cilin ka pretenduar se për herë të fundit ka folur në vitin 2011.

Edhe pse Jeton Buquku është shprehur se s’ka pasur kurrfarë kontakte me Demë Elshanin për shumë vite dhe s’ka borxh ndaj tij, ai s’ka dhënë asnjë informacion para prokurorit për akuzën e tij se Demë Elshani e ka porositur grupin e dyshuar për t’i shkaktuar incidentet.  

Në deklaratën e tij, Buquku e ka përmendur vetëm bisedën me personin që e kishte rrahur në lokalin e vet, të cilit i kërkonte të jepte emrin e ‘bossit’ që gjoja i ka porositur dhe i ka paguar të dyshuarit për ta kryer këtë vepër, ku dyshohet se i është referuar Demë Elshanit.

Jeton Buquku gjatë kësaj kohë ka deklaruar se s’ka pasur kurrfarë kontakti me Demë Elshanin. Megjithatë, babai i tij është takuar me të në Spanjë, kurse Egzon Buquku ka folur me të në telefon në muajin mars të vitit 2023.

Në një pjesë të dëshmisë së Egzon Buqukut, thuhet se ai ka deklaruar që ka biseduar në telefon me Demë Elshanin, duke thënë se “ai më ka thirr në telefon dhe më ka vet pse po shkon me jep deklarata në polici, në prokurori dhe tu më ndjek me shtet. Unë i kam thënë “po është e vërtetë që kam japur deklarata sepse nuk e di çfarë borxhi të kemi ne ty”. Dema pretendon se ne i kemi borxh 1 milion apo 1 milion e gjysmë. Ne nuk i kemi askujt borxh e as Demës”.

Nëse nuk ekziston një borxh dhe s’kanë pasur asnjë problem me Demë Elshanin, a kanë dhënë Jeton dhe Egzon Buquku dëshmi se të dyshuarit janë paguar nga Dema?  

Të dy kanë deklaruar se nuk kanë pasur informacione pse kanë ndodhur incidentet dhe fillimisht nuk kanë dyshuar te askush, me arsyetimin se “nuk kemi pasur ndonjë problem me dikë”. Pasi janë identifikuar katër persona si të dyshuar, Egzon Buquku ka deklaruar se “tani e dijmë se nga ky grup” janë kryer veprat penale, të cilët ai ka thënë se i njeh, ndërsa Jeton Buquku, e ka mohuar se i ka njohur.

Jeton Buquku edhe në fund të deklaratës së tij është shprehur se sulmet janë nga Demë Elshani, i cili përmes njerëzve me pagesë i ka kryer këto vepra, pa dhënë ndonjë arsyetim se cili është motivi i Demës për përfshirje në këto raste, raporton Sinjali.

Gazeta Sinjali posedon informacione dhe dëshmi të tjera për këtë konflikt dhe do të iu mbajë të informuar me detaje të reja në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/