Liderët e dy partive të mëdha opozitare, LDK-së dhe VV-së janë takuar sot për të diskutuar sërish mundësinë e një koalicioni parazgjedhor mes këtyre dy partive.
Takimi që ka zgjatur pak është konfirmuar për Sinjalin edhe nga VV-ja.
Zëdhënësi i kësaj partie, Arlind Manxhuka, ka thënë se përpjekjet janë të sinqerta për të arritur koalicionin. Ai gjithashtu ka konfirmuar se përveç takimit Mustafa-Kurti, ka pasur edhe takime të tjera të nivelit të lartë.
“Ka patur takime kryetari i Lëvizjes dhe ai i LDK-së, si dhe takime të tjera në nivel të lartë. Sigurisht do të ketë edhe takime të ardhshme, ne vazhdën e përpjekjeve të sinqerta për të arritur koalicion”, ka thënë Manxhuka për Sinjalin.
Lëvizja Vetëvendosje kërkon që të mos ketë kushtëzime sepse nuk ka shumë kohë për të arritur koalicionin e shumëpërfolur.
“Perpjekja kryesore është që të mos ketë kushtëzime dhe të diskutohen modalitetet më të mira. Nuk ka shumë kohë dhe kushtezimet tash vetëm pengojnë”, ka thënë Manxhuka. /Sinjali