image A po mbyllet “Ballkani i Hapur”? Presidenti malazez: Këtë do ta trajtojë Parlamenti dhe Qeveria e re

Rajon

A po mbyllet “Ballkani i Hapur”? Presidenti malazez: Këtë do ta trajtojë Parlamenti dhe Qeveria e re

news image

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq i cili nesër do të shkojë në Beograd për t’u takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se çdo iniciativë ekonomike që sjell vlera të reja në drejtim e uljes së barrierave dhe forcimit të aktivitetit ekonomik në rajon mund të jetë e dobishme, me kusht që  nuk bie ndesh me parimet e Procesit të Berlinit.

Kështu iu përgjigj ai pyetjes për “Ballkanin e Hapur”. Milatoviqin e pyetën nëse beson se iniciativa rajonale është prioritet i Malit të Zi.

“Qëndrimi im për këtë më duket që në fillim ka qenë i qartë. Për ne prioritet i të gjitha prioriteteve është anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe rrjedhimisht angazhimi i padiskutueshëm ndaj procesit të Berlinit. Nga ana tjetër çdo iniciativë ekonomike mund të jetë e dobishme që sjell vlera të reja në uljen e barrierave dhe forcimin e aktivitetit ekonomik në rajon, me kusht që të mos bie ndesh me parimet e Procesit të Berlinit, kjo është sigurisht një çështje që do të trajtojë Parlamenti i ri dhe Qeveria e re e Malit të Zi”, tha Milatoviq.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha së fundmi se nisma “Ballkani i Hapur” e ka përfunduar misionin për të cilin ka lindur, e që tha se ka qenë për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit, duke shtuar se “Procesi i Berlinit është tani më aksi ynë kryesor”.

Këtë deklaratë nuk e besonte as presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili qëndron ende pro “Ballkanit të Hapur”.

Rama këtë javë ishte në një tour ballkanik, me ç’rast pati mundësinë të diskutojë për këtë në Beograd edhe me Vuçiqin. Ai i vizitoi të gjitha shtetet e rajonit për t’i takuar kryeministrat dhe presidentët pët t’i informuar për përgatitjet për Samitin e Procesit të Berlinit që mbahet në Tiranë këtë vit.

/GazetaSinjali/