Nga mbrëmë është duke qarkulluar lajmi se partia e Fatmir Limajt Nisma Socialdemokrate dhe partia e Behgjet Pacollit Aleanca Kosova e Re, kanë nënshkruar marrëveshje për koalicion parazgjedhor. Por a është arritur vertetë kjo marrëveshje, për Sinjalin flet shefi i GP-së së Nismës, Bilall Sherifi.
Bilall Sherifi ka konfirmuar për Sinjalin se Fatmir Limaj ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e AKR-së për arritjen e koalicionit parazgjedhor, mirëpo thotë se ende nuk mund të konfirmohet informacioni nëse kjo marrëveshje është arritur.
“Kryetari Limaj ka mandat të bisedojë me partitë politike për të parë mundësine e garimit së bashku në këto zgjedhje. Në funksion të arritjes së një koalicioni të mundshëm, kryetari Limaj ka zhvilluar bisedime edhe me AKR-në. A do të nënshkruhet apo jo sot ndonjë marrëveshje ende nuk mund ta konfirmoj. Por po, gjithsesi që bisedime ka pasur dhe do të ketë edhe në ditët në vijim”, tha Sherifi për Sinjalin.
Ndërsa, burime të Sinjalit brenda AKR-së thanë se ka gjasa që koalicioni parazgjedhor të nënshkruhet sot në orën 11:00.
Ndryshe, nga Nisma Socialdemokrate vazhdimisht kanë deklaruar se duan të garojnë të vetëm në zgjedhje, por duket se as kjo parti nuk do t’i shpëtojë koalicioneve parazgjedhore.
Tashmë në koalicion parazgjedhor kanë hyrë AAK dhe PSD. Ndërkohë edhe partitë tjera janë në bisedime.
Kuvendi i Kosovës është shpërndarë dje me votat e deputetëve, 89 pro, 1 kundër dhe 2 abstenime.
Zgjedhjet e reja paralamentare pritet të mbahen në javën e parë të tetorit./Sinjali/