Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe zëvendësdrejtori i Policisë, Fehmi Hoti kanë mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media pas sulmit tragjik që ndodhi sot në orën 2:34 në Banjskë të Zvçeanit, ku persona të armatosur që dyshohen të jenë serbe, sulmuan Policinë e Kosovës duke e lënë pa shenja jete policin Afrim Bunjaku, e duke plagosur një tjetër, raporton Gazeta Sinjali.
Hoti në këtë konferencë, ndër tjera ka folur edhe për mundësinë e prezencës së individëve të grupit Wagner rreth kufirit të Kosovës apo edhe brenda, i cili tha se deri më tani s’kanë asgjë të faktuar, por se informacionet për këtë janë duke u trajtuar.
“Grupi Wagner – kemi pasë edhe më herët, që individë të grupit Wagner po lëvizin apo edhe mund të lëvizin, apo edhe mund të sulmojmë. Të gjitha janë trajtuar. Mirëpo, deri më tani nuk kemi diçka të argumentuar, të faktuar që kanë qenë pjesëtarët [e Wganer]. Sepse e dini që gjykata i kërkojnë gjithçka të dokumentuar. Andaj, si informacione i kemi trajtuar dhe jemi duke i trajtuar”, tha ai.
Për këto spekulime, kryeministri Kurti nuk pati përgjigje.
“Territor shumë i madh, kodrinoro-malor, është vështirë i kontrollueshëm në secilën pikë. Siç e dimë ne kufirin, e di edhe xhandërmëria e Serbisë”, u shpreh ai.