Kryetari i Partisë Social Demokrate, Shpend Ahmeti ka deklaruar se nuk është pishman që ka lidhur koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, pavarësisht deklaratave të së kaluarës kur këtë subjekt e kishin quajtur si parti të haraçit.
Ai ka thënë se ka kritika për qeverisjen e kaluar, por me rëndësi sipas tij janë sfidat që e presin koalicionin e ri.
Ahmeti është shprehur se favorizon një koalicion të gjerë të partive politike për qeverisjen e ardhshme në Kosovë për shkak të procesit të dialogut me Serbinë i cili e pret Kosovën.
“Mendoj se duhet të kemi një koalicion të madh shqiptar për sfidat që na presin, në ruajtjen e kufijve të Kosovës dhe vazhdoj të mendoj të ketë një unifikim të partive politike, përjashtuar PDK-në sepse mendoj se duhet të kalojnë në opozitë”, ka thënë Ahmeti gjatë një debati në TVDukagjini.
Ai ka thënë se në këtë fazë tranzicionale që gjendet Kosova dhe sfidat që e presin vendin është më se e domosdoshme përfshirja në Qeveri e AAK-së si parti e luftës. Sipas tij Haradinaj ka bërë punë të madhe pasi është i vetmi që i është kundërvënë PDK-së. /Sinjali/