Shefi në largim i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka shkruar një mesazh për suksesin dhe dështimin.
Sherifi ka thënë se mjafton vetëm një vendim i gabuar dhe dështimi është i garantuar, duke iu referuar kështu me gjasë tashmë ish-anëtarit të kësaj partie dhe ministrit në largim të Arsimit, Shyqiri Bytyqit.
“SUKSESI është rezultat i tërësisë së vendimeve të drejta!
Kushdo që dëshiron të arrij suksese duhet të udhëhiqet nga ky rregull. Mirëpo, rregulli për suksesin nuk vlen edhe për DËSHTIMIN. Për të dështuar nuk është e domosdoshme që të gjitha vendimet të jenë të gabuara!
Madje, shumë shpesh mjafton vetëm një vendim i gabuar dhe DËSHTIMI është i garantuar!”, ka shkruar Sherifi.
Sinjali ka mësuar nga burimet e afërta me Bytyqin se ai ka vendosur t’i ndajë rrugët me liderin e tij të deritashëm partiak Fatmir Limajn.
Nga këto burime Sinjali merr vesh se ministri në largim i Arsimit do të kalojë në Partinë Socialdemokrate. Sipas këtyre burimeve, Shyqiri Bytyqi pritet të aderojë nesër në partinë e Shpend Ahmetit e cila së fundi ka lidhur koalicion parazgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. /Sinjali