Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në fshatin Dubravë të Ferizajt, ku një i mitur është arrestuar nga Policia pasi është kapur me armë zjarri dhe dyshohet se ka kanosur një tjetër të mitur për shkak të një vajze, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se rasti ka ndodhur dje derisa Policia ka hasur në dy të rinj që po fjaloseshin.
Gjatë kontrollit të personave, tek 18 vjeçari është gjetur një revole me gaz, një karikator dhe një fishek në tytë, të cilat janë sekuestruar nga njësia e forenzikës.
Siç merr vesh Gazeta Sinjali, përplasja kishte ndodhur pasi viktima, 18 vjeçar, i kishte dërguar kërkesë për shoqërim një vajze në Snapchat, e që dyshohet të jetë e dashura e të dyshuarit.
Ky i fundit e kishte telefonuar dhe e kishte ftuar të takoheshin, me pretendimin se donte të sqaroheshin.
Por gjatë takimit, mëson Gazeta Sinjali se i dyshuari e ka kanosur viktimën me fjalët “A e di se të mbys”, duke e nxjerrë armën nga brezi.
Në momentin kritik ka ndërhyrë Policia, duke parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i cili ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Kanosje”, dhe i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.