image A do t’i shpëtojë makina elektrike të gjitha vendet e punës në “Fiat”

Automjete

A do t’i shpëtojë makina elektrike të gjitha vendet e punës në “Fiat”

news image

Punëtorët e “Fiat”-it do të kenë vetëm dy ditë pune në maj dhe më pas do të shkojnë me pushime, pasi do të kthehen vetëm në shtator. A do të kenë punë në vjeshtë dhe nëse të 2070 të punësuarit do të kenë punë në linjat e prodhimit të veturës elektrike, e cila do të prodhohet në Kragujevc nga viti 2024, janë pyetjet me të cilat ata po shkojnë në “pushime”. Ankthin e tyre e shton lajmi se “Stelantis” largon 480 punëtorë në Itali.

Përfaqësuesit e kompanisë së përbashkët “Fiat” dhe “Peugeot” ranë dakord me sindikatat që këtë vit fabrika e Mirafiorit në Torino, e cila prodhon modelin elektrik “500 New”, do të lërë vullnetarisht 480 punëtorë, njoftuan anëtarët e sindikatës italiane FIM-CISL. të hënen.

Stelantis tashmë ka arritur një marrëveshje të ngjashme me sindikatat në shkurt në lidhje me më shumë se 700 largime vullnetare, për gjithsej 1200 vende pune këtë vit në Itali, raporton Reuters.

Davide Provenzano, kreu i FIM-CISL për rajonin e Torinos, tha se megjithëse afati i fundit për shkarkimet vullnetare ishte fundi i vitit, ka një stimul shtesë prej 20,000 euro (21,000 dollarë) për ata që largohen nga kompania deri më 30 shtator.

Një zëdhënës i Stelantis, i cili aktualisht punëson rreth 50,000 punëtorë në Itali, konfirmoi marrëveshjen e pushimit nga puna, duke thënë se kompania nuk kishte asnjë koment, sipas Politika.

Zoran Miljkoviq, nënkryetar i sindikatës së pavarur të fabrikës së Kragujevcit “Fiat Plastic”, e cila është në pronësi të “Fiat Group”, shprehet se janë të shqetësuar për një lajm të tillë. Ata i kanë dërguar kërkesë menaxhmentit të “Fiat”-it në Serbi dhe Itali që të ruhen të gjitha vendet e punës në Kragujevc dhe t’u sqarohet nëse, sa dhe ku do të punësohen punëtorë në një vit e gjysmë të ardhshëm.

– Delegacioni i lartë i “Stelantis”, i cili javën e kaluar vizitoi Serbinë dhe njoftoi se do të nisë prodhimin e një veture të re, nuk është takuar me askënd nga “Fiat Plastic”. Ishte një mundësi për të biseduar dhe për të gjetur një zgjidhje për problemet e punëtorëve, të cilët janë në grevë që nga fundi i shkurtit 2021 – vë në dukje Miljkoviq.

Ai mendon se është mirë që është nënshkruar kontrata për prodhimin e një modeli elektrik në Kragujevc, por që ka shumë të panjohura. Sipas tij, është e sigurt se do të vijojë periudha e përgatitjes për fillimin e paralajmëruar të prodhimit të automjeteve elektrike në gjysmën e dytë të vitit 2024. Ai pret që shumë pak do të bëhet në atë vit e gjysmë, me gjashtë apo shtatë muaj pushim me pagesë. Miljkoviq thotë se punëtorët e “Fiat”-it në Kragujevc në muajin maj do të punojnë vetëm dy ditë dhe më pas do të dërgohen në pushim me pagesë deri në shtator.

– Kam frikë se do të nevojiten më pak punëtorë për të prodhuar një veturë elektrike – vlerëson Miljkoviq. Ai shton se punëtorët e “Fiat Plastic” janë në grevë që nga shkurti i vitit 2021, duke kërkuar që punëdhënësi t’ua kthejë pagën në nivelin e vitit 2020 dhe të barazojë kompensimin e pushimit të paguar me kolegët e kompanisë simotër “Fiat Chrysler Cars Serbia” ( FCA), pra 65 për qind e pagës.

Ai po ashtu thekson se grevistët nuk kanë pasur të drejtë për shpërblim, ndërsa punëtorët e “Fiat Plastic”, për dallim nga kolegët e FCA-së, nuk kanë marrë rritje të bazës për pagën prej 1500 dinarë bruto nga 1 janari.

Në ditën kur Carlos Tavares, drejtori i “Stelantis” dhe Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, ranë dakord që prodhimi i modeleve të makinave elektrike në Serbi të fillonte pas dy vjetësh, të gjithë punëtorëve iu pagua një bonus efikasiteti prej 10.000 dinarë secili.

/GazetaSinjali/