image A do të shtrenjtohen pagesat për mbeturina në Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj për t’ua dyfishuar pagat punëtorëve?

Kosovë

Financa/ A do të shtrenjtohen pagesat për mbeturina në Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj për t’ua dyfishuar pagat punëtorëve?

news image

Kompania “Uniteti” e cila merret me mbledhjen e mbeturinave në tri qytete, Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj, ka menduar për rritjen e tarifës së pagesës në mënyrë që pagat e punëtorëve fizik të dyfishohen, të bëhen 550 euro, raporton Gazeta Sinjali.

Kompania “Uniteti”, ka menduar rritjen e tarifës për pagesa, për amvisëritë nga 4.5 në 9 euro. Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook në faqen e tyre, shkruan Gazeta Sinjali.

“Në mënyrë që pagat e punëtorëve fizik të dyfishohen dhe të bëhen 550 euro, duhet të dyfishohet edhe tarifa e pagesës për amvisëritë nga 4.5 në 9 euro. Qytetarë të nderuar, duke e parë se shumë prej jush në komente kërkoni paga më të mira për punëtorët e pastrimit, a pajtoheni që të dyfishohet edhe tarifa e pagesës?”, thuhet në njoftimin e Kompanisë “Uniteti”.

Mirëpo, reagimi i qytetarëve ishte i menjëhershëm. Ata janë pajtuar me rritjen e rrogës së punëtorëve fizik, por jo me siç e kanë quajtur ata me zhvatjen e qytetarëve.

Disa nga komentuesit kanë shkruar se kjo mund të arrihet edhe pa u rritur tarifa e pagesës.

“Mirë kish me qenë me ia rritë rrogat. Rrogat mund të rriten edhe me këtë participim 4,5€ për muaj. Mirëpo, duhet te ketë menaxhim më efikas. Atu ne UNITET ka pozita palidhje “drejtor i drejtorisë së drejtorëve” “drejtor për goma traktorit 39sh” etj. Krejt ata drejtorë veti ia qesin rrogat me rregull, e punëtorëve iu kanë mbet borxh”, ka shkruar njëri nga komentuesit.

Ndërsa, Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë “Uniteti”, Gazmend Morina, ka thënë se për momentin nuk planifikojnë rritje të pagave të punëtorëve dhe rritja e pagesës së tarifës për amvisëritë nuk mund të bëhet nga kompania por nga Kuvendet Komunale.

“Për momentin nuk planifikojmë rritje tjetër, të paktën jo deri në pjesën e fundit të vitit për shkak të obligimeve te mëdha që menaxhmenti i kaluar i kompanisë i ka lënë ndaj ATK-së dhe operatoreve të ndryshëm ekonomik të cilat kanë kryer shërbime për ‘Unitetin’”, ka thënë Morina për Gazetën Sinjali.

Mirëpo, Morina thotë se nga anketa nuk ka parë gatishmëri nga qytetarët për rritjen e tarifave atëherë nuk mund të bëjnë kërkesë në Kuvendet Komunale as për rritjen e pagave të punëtorëve fizik.

“Tarifat nuk i cakton, gjegjësisht nuk i rrit apo zvogëlon ‘Uniteti’, por ato caktohen nga Kuvendet Komunale (Mitrovice, Vushtrri dhe Skenderaj) përmes rregulloreve për menaxhimin e mbeturinave. Pra, ne vetëm kërkesën ne drejtim te Kuvendeve Komunale mund ta bëjmë, por assesi rritje apo zvogëlim”, është shprehur kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë “Uniteti” në Mitrovicë, Gazmend Morina./Gazeta Sinjali/