image A do të kompensohen orët e humbura të grevës? Vendos Apeli

Kosovë

Gjykata/ A do të kompensohen orët e humbura të grevës? Vendos Apeli

news image

Gjykata e Apelit e ka miratuar ankesën e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, që të moskompensohen orët e humbura për shkak të grevës së mbajtur në vitin e kaluar shkollor.

Ankesa e SBASHK-ut është miratuar si e bazuar nga Apeli, ndërsa është prishur aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, shkruan Gazeta Sinjali.

“Lënda i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje”, thuhet në Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, njofton SBASHK.

Ministri në detyrë i Arsimit, Shyqiri Bytyqi kishte dhënë urdhër që të kompensohen të gjitha orët e humbura të grevës 3-javore të mësimdhënësve të kompensoheshin.

Ky vendim u kundërshtua ashpër nga SBASHK-u, që insistonte se orët nuk duhet kompensuar.

Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte dhënë të drejtë vendimit të Bytyqit, por tani Apeli e ka hedhur poshtë atë.

Pas vendimit të Apelit, SBASHK-u ka reaguar, duke kërkuar që të gjithë ata që kërkuan kompensimin e orëve, nga ministri i Arsimit e deri te disa drejtorë të shkollave, të kërkojnë falje publikisht.

“SBASHK-u pret nga ata drejtorë të Drejtorive Arsimore dhe nga ata drejtorë shkollash që ushtruan presione ndaj mësimdhënësve për kompensim orësh, që të kërkojnë falje. Pret që ish Ministri Bytyqi dhe KMLDNJ bashkë me Bexhet Shalën, që kërkonin ngritjen e kallëzimit penal ndaj kryetarit të SBASHK-ut dhe nga ata dy a tre deputetë me fjalorë të ulët e plot shpifje e ofendime të pabazuara, që publikisht të kërkojnë falje. E vërteta mund të vonohet, por ajo del në shesh”, thuhet në reagimin e tyre.

Vendimin e mëhershëm të Gjykatës Themelore, SBASHK-u e cilëson si emocional dhe nën presion. /Gazeta Sinjali/