image A do të kompensohen humbjet e klientëve pas skandalit me kartela, Neptun shmang pyetjet

Kosovë

A do të kompensohen humbjet e klientëve pas skandalit me kartela, Neptun shmang pyetjet

news image

Para pak ditësh, përgjegjësi në kompaninë “Neptun”, dega në Podujevë, Avdyl Selimi u arrestua nga Krimet Kibernetike, nën dyshimet për vjedhjen e të dhënave nga kartelat bankare të klientëve, të cilat i ka shfrytëzuar për blerje të kriptovalutave. Pas këtij skandali, Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të kësaj kompanie, për të marrë një prononcim nëse do të kompensohen humbjet.

Por, kjo kompani ka shmangur pyetjet se a do të kompensohen klientët që kanë rënë pre e përgjegjësit të kompanisë.

Në përgjigjen për Sinjalin, nga kjo kompani kanë deklaruar se do të bashkëpunojnë me organet e rendit për ta zbuluar rastin në detaje.

“Kompania jonë do të vijoj bashkëpunimin me organet e rendit në mënyrë që ky rast të marrë trajtimin e duhur. Gjithashtu, duam të sigurojmë të gjithë klientët tanë që Neptun Kosova kujdeset përditë që çdo shkelje që cënon ata të denoncohet dhe të hetohet si rasti në fjalë. Klientët duhet të ndihen të sigurt që kjo ngjarje është një rast i izoluar dhe është trajtuar menjëherë sipas protokolleve dhe legjislacionin.”

Ndaj punëtorit të kompanisë, Neptun ka njoftuar se do të fillojnë procedurën disiplinore konform legjislacionit në fuqi.

“Kompania Neptun Kosova konfirmon që sipas ligjeve në fuqi ka bashkëpunuar me organet e rendit për zbulimin dhe mbledhjen e provave për hetimin e një rasti ku mendohet se është kryer shkelje e ligjit. Që në momentin që është marrë sinjali i parë që një punonjës mund të ishte duke kryer aktivitet të kundra ligjshëm, Neptun Kosova ka vënë në dispozicion të institucioneve publike gjithë infrastrukturën e nevojshme për hetimin e ngjarjes.

Nga organet e rendit jemi njoftuar se personi në fjalë është arrestuar dhe se ndaj të njëjtit janë ndërmarrë veprimet ligjore për hetimin e rastit. Po ashtu mund të konfirmojmë se ndaj të njëjtit person ne kemi filluar procedurën disiplinore konform legjislacionit ne fuqi dhe akteve te brendshme te kompanisë.”

Selimi u ndalua nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.

Sipas Prokurorisë, “i njëjti dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme, duke keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve, dyshohet se ka vjedhur të dhënat e kartelave bankare të klientëve, të cilët kanë bërë blerje në dyqanin ku i dyshuari ka punuar si përgjegjës i ndërrimit, dhe pastaj këto të dhëna i njëjti i ka përdorur duke bërë blerje të monedhave – kriptovalutave, të cilat më pas i ka shitur dhe me këtë rast dyshohet se ka përfituar mjete-para në vlerë prej mbi 5,000.00 €. “

Në njoftimin e Policisë thuhet se i dyshuari ka fotografuar kartelat bankare në momentin kur klientët ia kanë dhënë kartelën arkëtares për të bërë pagesë.

“Në disa raste i dyshuari e ka marrë kartelën e bankës nga arkatarja dhe në mënyrë të fshehtë me telefonin e tij i ka fotografuar kartelat në të dy anët me qëllim që këto të dhëna pastaj ti përdor për përfitime materiale në mënyrë të kundërligjshme. Në këtë rast janë identifikuar disa të dëmtuar në disa banka të ndryshme të Kosovës, dhe dëmi i shkaktuar është disa mijëra euro.”.

/GazetaSinjali/