Mbi 1300 agjentë sigurie nga e gjithë Zvicra do të angazhohen për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë Festivalit të Këngës në Eurovizion (ESC), që do të zhvillohet në Bazel nga 11 deri më 17 maj.
Rreth gjysma e forcave të ndërhyrjes do të sigurohen nga kantonet Basel-Stadt dhe Basel-Landschaft, ndërsa do të përfshihen edhe 40 ushtarë profesionistë të ushtrisë, Policia Federale (Fedpol), Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës (OAG), si dhe agjencitë që merren me sigurinë kibernetike dhe kufitare.
Sipas autoriteteve, niveli i kërcënimit është i lartë, ndaj masat janë të shumta si ndalim i dronëve nga 9 deri më 18 maj, vëzhgim me video 24 orë në zonat e fansave, kontrolle të komunikimit radio dhe matje të nivelit të radioaktivitetit në rajon.
Zyra Federale për Sigurinë Kibernetike (FOCS) ka kryer një analizë gjithëpërfshirëse të rrezikut, ndërsa Shërbimi Federal i Inteligjencës (FIS) është i angazhuar në vlerësimin e kërcënimeve dhe bashkëpunimin me autoritetet ndërkombëtare.
Policia pritet të reagojë ndaj protestave të mundshme kundër pjesëmarrjes së Izraelit, të thirrura nga persona anonimë në rrjete sociale. Deri tani, nuk është paraqitur asnjë kërkesë për demonstrim të lejuar.
Kostoja totale e sigurisë dhe shërbimeve emergjente pritet të arrijë në afro 8 milionë franga zvicerane, ndërsa një raport përfundimtar do të publikohet pas përfundimit të ngjarjes.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!