Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Valmir Salihu dhe Florian Mitev për veprat penale vrasje e rëndë, mbajtje në pronësi dhe kontroll të armëve, si dhe dhënie ndihme kryesve pas kryerjes së veprave penale.
Sipas komunikatës së Gjykatës, V. S. është dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e Sokol Osmanit. Vrasja, sipas Gjykatës, ka ndodhur me dashje dhe në shenjë hakmarrjeje për shkak të një konflikti fizik të ndodhur dy vjet më parë.
“…me të arritur me biçikleta të pandehurit V. S. dhe F. M., përballë lokalit Berber Shop “D…”, aty i pandehuri V. e vëren të ndjerin S., i cili ishte duke hyrë në veturë, me ta vërejtur përnjëherë e repetit revolen e prodhimit “Zoraki”, modeli M-917-T, e kalibrit 9×17 mm, me numër serik A3YZR16YS01-2303343, i ofrohet afër dhe me një predhë e godet të ndjerin S., në anën e pasme të shpinës (komblikut), me ç’rast i ndjeri rrëzohet në tokë, e derisa ishte i rrëzuar, ofrohet i pandehuri V., e godet dy herë me grusht dhe një herë me shqelm, e më pas të pandehurit me shpejtësi largohen në drejtim të panjohur, derisa i ndjeri S.O. ndërron jetë”, thuhet në njoftim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!