image 90 minuta larg 'historisë' për sezonin e dytë me radhë, Korenica flet për Sinjalin para duelit kthyes ndaj BATE-s

Futboll

90 minuta larg ‘historisë’ për sezonin e dytë me radhë, Korenica flet për Sinjalin para duelit kthyes ndaj BATE-s

news image

Ballkani e luan nesër ndeshjen më të rëndësishme të Ligës së Konferencës për këtë edicion, ku zhvillon ndeshjen kthyese të “Play-Off”, ndaj skuadrës bjelloruse Bate Borisov, raporton Sinjali Sporti.

Me një avantazh prej 3 golave nga ndeshja e parë, pasi skuadra kampione triumfoi me rezultat 4-1 në ndeshjen e parë në Prishtinë, Ballkani kërkon nesër kalimin në fazën e grupeve.

Kësisoj, Ballkani kërkon të rishkruajë historinë, duke u kualifikuar në grupe të një kompeticioni evropian madhor për herë të dytë me radhë.

Në prag të kësaj sfide kyçe për ‘portokallinjtë’, një nga lojtarët kyç të këtij klubi, Meriton Korenica ka folur për Sinjalin, rreth gjasave për t’i kaluar grupet për edicionin e dytë me radhë.

Korenica ka deklaruar se ata janë përgatitur maksimalisht për ndeshjen kthyese, duke shtuar se kundërshtari ka përvojë në këto gara por ata do të japin maksimumin.

“Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshje edhe pse gjysmën e punes e kemi kryer në Prishtinë na ka mbetur gjysma tjetër në lojën kthyese. E dimë se kundërshtari që ka përvojë në këto gara por ne jemi të gatshëm të gjithë për të dhënë maksimumin”, deklaroi sulmuesi i krahut.

I pyetur për një triumf potencial ku Ballkani do të kalonte në fazën e grupeve për herë të dytë, ai tha se është një ndjenjë e papërshkruar dhe me punën që po bëjnë po përfaqësojnë Kosovën në garat ndërkombëtare.

“Është një ndenjë e papërshkruar kalimi në fazen e grupve sidomos për herë të dytë me radhë. Po bëjmë një punë shumë të mirë edhe për përfaqësimin e Kosovës në gara ndërkombtare”, deklaroi ai.

Korenica ka shtuar se Ballkani do të synojë edhe kalimin e grupeve.

“E kemi shijuar në maksimum fazën e grupve vitin e kaluar, shpresojmë edhe këtë vit të shijojmë pse jo të provojmë ende më shumë, kemi mundsi të mirë, por më kryesore është ndeshja e radhes për të hyrë në grupe na ka mbetur gjysa e punës për ta përseritur historinë”, ka deklaruar ai.

Lojtari rahovecas është pyetur edhe për ofertat që kanë ardhur së fundi në drejtim të tij, por ka refuzuar të flasë, duke theksuar se këto do t’i shqyrtojë pas kësaj ndeshje.

“Nuk dua të flas ende për ofertat deri pas ndeshjes dhe me pas do të vendosim me klubin si do të shkojnë gjërat”, shtoi ai.

Krejt në fund, Korenica u pyet për kombëtaren e Kosovës dhe nëse pret një ftesë nga selektori për dy ndeshjet kualifikuese të Evropianit, të cilat Kosova i zhvillon në muajin shtator ndaj Zvicrës dhe Rumanisë.

Korenica tha se kombetarja është një ëndërr për tu bërë realitet, duke dhënë indikacione se ai shpreson që të ftohet nga kombëtarja në një të ardhme shumë të afërt.

/GazetaSinjaliSport/