B.M i akuzuar për plagosjen e një oficeri policor në Kllokot, është dënuar me 9 vjet burgim, pasi që të premten, Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykimin për të, shkruan Gazeta Sinjali.
Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga Gjykata Themelore e Gjilanit.
Sipas komunikatës, “i akuzuari dyshohet se me datë 28.03.2020, rreth orës 13:00 minuta, në fshatin Vërbovc, Komuna e Kllokotit, pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me detyrën zyrtare me të dëmtuarin Z. J., oficer policor në Stacionin Policor në Kllokot, i pandehuri ka shtënë dy herë në drejtim të dëmtuarit me armë zjarri “Zastava” të kalibrit 6.35 mm, duke e qëlluar në pjesë vitale të trupit, me ç’rast i shkakton lëndime të rënda trupore. Me këto veprime, i akuzuari ka kryer veprat penale (1)“vrasje e rëndë në tentativë” dhe (2)“mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në komunikatë.
Në komunikatë thuhet se trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe shtjellimit të provave, për veprën e parë ka shqiptuar dënim me burgim prej 8 (tetë) vjet e 6 (gashtë) muaj, ndërsa veprën penale të dytë dënim prej 8 (tetë) muaj burgim.
“Me zbatimin e dispozitave ligjore të dënimit unik, të akuzuarit i shqiptohet dënim prej 9 (nëntë) vjet burgim, gjithashtu Gjykata ka shqiptuar edhe dënimin plotësues konfiskimin e armës. Trupi gjykues ka vazhduar masën e paraburgimit të pandehurit, deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore./Gazeta Sinjali/