Sot janë bërë 9 vite prej kur pjesëtari i Policisë së Kosovës, Arben Sejdiu, ishte vrarë në shtëpinë e tij të fshatit Grabanicë të Klinës. Që nga atëherë e deri më tash askush nuk është dënuar për vrasjen e tij, raporton Gazeta Sinjali.
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë bërë homazhe tek varri i të ndjerit, duke kujtuar veprimtarin e ish-policit Arben Sejdiu.
Më 22 nëntor të vitit 2010 në shtëpinë e policit Arben Sejdiut, ishin futur disa persona ku kishin shtënë me armë zjarri, prej të cilave kishte mbetur i vdekur polici i Kosovës.
Përveç policit që kishte mbetur i vdekur edhe dy persona të tjerë kishin mbetur të plagosur.
“Në bazë të hetimeve preliminare policia dyshon se person/a të panjohur deri tani nga oborri i shtëpisë kanë gjuajtur me armë zjarri në drejtim të dhomës së pritjes dhe si pasojë një person (pjesëtar i PK-së) ka humbur jetën kurse dy të tjerë janë plagosur derisa të njëjtit ishin brenda në dhomën e pritjes me familjarë të tjerë”.
“Vdekjen e viktimës e ka konfirmuar ekipi mjekësor që kanë dalë në vendin e ngjarjes kurse dy të plagosurit N.S dhe Q.S janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë nga familjarët ku njëri është ndalur për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor kurse tjetri është pas tretmanit mjekësor është liruar në shtëpi”, thuhej në njoftimin e atëhershëm të Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës kishte intervistuar 10 persona për këtë rast, por asnjëherë nuk është zbardhur rasti i ish-policit të Kosovës. Arben Sejdiu, kishte qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës (Gjenerata e parë e PK-së) dhe ka kryer detyrën e oficerit policor në Stacionin Policor në Klinë. Pas vetes kishte lënë gruan dhe një fëmijë./Gazeta Sinjali/