image 9 vite burgim për dy të rinjtë që e dhunuan 13-vjeçaren në Gjilan dhe gjinekologun që ia mundësoi abortin

Drejtësi

9 vite burgim për dy të rinjtë që e dhunuan 13-vjeçaren në Gjilan dhe gjinekologun që ia mundësoi abortin

news image

Një ngjarje e rëndë tronditi vendin, vitin e kaluar, kur një 13-vjeçare u dhunua dhe u detyrua të abortonte. Ajo u dhunua nga 21-vjeçari Shpejtim Jashari (me të cilin ka qenë në lidhje dashurie) dhe shoku i tij, Shaip Ajdari, dhe më pas u detyrua që të abortojë në javën e tretë të shtatzënisë, proces ky që u krye nga gjinekologu Arsim Gashi. Dhunimin e të miturës nuk e lajmëroi as gjinekologu Tefik Dermaku, i cili e kontrolloi të miturën dhe i dha terapi. Jashari, Ajdari e Gashi u shpallën fajtorë nga Gjykata Themelore në Gjilan me 9 vite burgim.   

Dhunimi dhe aborti i 13-vjeçares– Si u detyrua të kryente marrëdhënie seksuale në dy motele në Gjilan

I akuzuari kryesor Shpejtim Jashari gjatë muajve janar-shkurt të vitit 2020, në fshatin Livoq i Ulët, në motelet “Casablanka” dhe “Garden”, dyshohet se e ka detyruar të miturën, e moshës 13 vjeçare, për të kryer akt seksual pa pëlqimin e  saj. Sipas gjykatës, Jashari e ka dërguar të miturën në këto dy motele, në të cilat kanë kryer disa herë marrëdhënie seksuale, ashtu që e mitura mbetet shtatzënë dhe nga fundi i muajit shkurt të vitit 2020 e ka detyruar të njëjtën që të kryente abort në një ordinancë private në Prishtinë, shkruan Gazeta Sinjali.

Gjatë periudhës së njëjtë, i akuzuari tjetër, shoku i Shpejtim Jasharit, Shaip Ajdari, në fshatin Livoq i Ulët, në komunën e Gjilanit, në motelin “Casablanka” dyshohet se e ka detyruar të miturën për të kryer akt seksual pa pëlqimin e saj. Në këtë hotel ashtu siç kishte raportuar Sinjali edhe më parë, të miturën e kishte dërguar Shpejtim Jashari, ndërsa Shaip Ajdari në njërën nga dhomat e motelit e ka detyruar të kryente akt seksual oral.

Për të mos mbaruar me kaq ky krim, e mitura u detyrua të abortojë. Ajo çka e bën edhe më krim këtë rast është se e mitura u detyra të abortojë, proces ky që e mundësoi gjinekologu Arsim Gashi, duke ia rrezikuar jetën të miturës, shkruan Sinjali.

Gashi, më 15 shkurt të vitit 2020, rreth orës 11.00, në lagjen Ulpiana në Prishtinë në cilësinë e mjekut gjinekolog, në kundërshtim me ligjin për ndërprerjen e shtatzënisë dhe pa pëlqimin e të miturës dhe të prindit të saj, dyshohet se e ka ndërprerë  shtatzëninë te 13-vjeçarja. Ai përveç ndërpreu këtë shtatzëni në kundërshtim me ligjin, nuk e lajmëroi veprën penale të dhunimit, që e zbuloi gjatë ushtrimit të detyrës së tij.

I akuzuar dhe i shpallur fajtor për këtë rast është edhe Tefik Dermaku, gjinekolog, i cili më 11 shkurt, në orët e pasdites në Gjilan, në një ordinancë private, e ka konstatuar se e mitura është shtatzënë dhe i ka dhënë terapi adekuat, duke mos e lajmëruar veprën të cilën e ka zbuluar gjatë ushtrimit të detyrës si gjinekolog.

Vendimi i Gjykatës Themelore në Gjilan

Shpejtim Jashari është shpallur fajtor për veprën penale “dhunimi” dhe është dënuar me burgim në kohë zgjatje prej 4 vitesh.

Ndërsa për të njëjtën vepër, i akuzuari Shaip Ajdari është dënuar me 3 vjet burgim.

Gjykata Themelore në Gjilan gjinekologun Arsim Gashi e ka dënuar me 2 vjet burgim dhe dënim me gjobë prej 1 mijë euro.

Kurse Tefik Dermaku është dënuar vetëm me gjobë prej 1 mijë euro,

Gazeta Sinjali ka raportuar në vazhdimësi dhe ka tentuar ta lëvizë çdo “gurë” që të kapen mjekët që kryen këtë krim makabër edhe pse ishin të njoftuar për pasojat ligjore për veprimet e kryera.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/