Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, 80% e punëtorëve të sektorit të naftës në Kosovë kanë mbetur pa punë.
Sipas kryetarit të shoqatës së naftarëve, Fadil Berjani, kjo ka ndodhur për shkak se dy javë më parë është bërë ulja e çmimit të derivateve të naftës. Andaj, ai thotë se ka kërkuar nga Ministria e Financave përkrahje për pagimin e punëtorëve.
“Naftëtarët janë duke punuar 2 deri 5% kapacitet, nuk ka punë sektori i naftës është në rënje totale…Ne kemi kërkuar nga Ministria e Financave, që të ndahen mjete për paga sepse mbi 80% të gjithë punëtorët në sektorin e naftës, janë të liruar nga puna, kështu që të gjithë së bashku të bëhemi ta kalojmë këtë virus, këtë krizë dhe pagat gjithsesi duhet të paguhen por kërkesa jonë ka qenë të jetë paga, siç janë në administrata tatimore, por sa do ku do ketë emergjencën e parë edhe me këtë pajtohemi 170 euro, për momentin, ndërsa në pakon e dytë do të kërkojmë që pagat të rriten”, deklaroi Berjani.
Ai tha se për shkak të situatës së krijuar me pandeminë COVID-19, qytetarët e Republikës së Kosovës, aktualisht po furnizohen me çmimet më të ulëta të derivateve në regjion, përveç Maqedonisë e cila e ka 20 centë më lirë.
“Dihet se gjithmonë çmimet i përcakton Bursë dhe organizata prodhuese OPEC, po njëherësh ka ndikuar edhe ky virus, i cili e ka kapluar tërë botën. Sot, çmimet në Kosovë sillen nga 86 cent (benzina) deri në 89 (dizell). Qytetarët e Republikës së Kosovës janë duke u furnizuar me çmimet më të lira në regjion, përveç Maqedonia që e ka 20 centë më të lirë. Këto çmime janë konstante që 2-3 javë qytetarët janë duke u furnizuar përafërsisht me të njëjtin çmim. Sot, ka rritje me çmim me shumicë, kurse me pakicë nuk ka rritje, kështu që të gjithë naftëtarët nuk janë duke luajtur me çmime për hirë të situatës”, u shpreh Berjani.
Derisa në çmimet e derivateve ka rënje, qytetarët janë ankuar për rritje të çmimeve në produktet ushqimore dhe në produktet farmaceutike./Gazeta Sinjali/