Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar 74-vjetorin e themelimit të NATO-s.
Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se fuqinë e drejtësisë së kësaj aleance e përjetoi edhe populli i Kosovës, në momentet më vendimtare të historisë së tij për çlirim, gjë për të cilën, Haradinaj tha se do të jetë gjithmonë mirënjohës.
“Aleanca më e fortë politiko-ushtarake në botë, që mbron lirinë, demokracinë, paqen dhe sigurinë jo vetëm në Amerikën Veriore dhe Evropë, por në tërë globin, sot shënon ditëlindjen e 74-të. Fuqinë e drejtësisë së kësaj aleance të madhe, e përjetoi edhe populli i Kosovës, në momentet më vendimtare të historisë së tij për çlirim, për çka jemi mirënjohës përgjithmonë”, ka shkruar Haradinaj.
Ai tha se sot Republika e Kosovës është kontribuuese me ushtri në misione ndërkombëtare paqeruajtëse të kësaj aleance.
“Si popull i lirë me orientim të natyrshëm euroatlantik, ne synojmë që të jemi pjesë e barabartë e aleancës së shteteve të NATO-s, udhëhequr nga ShBA-ja”, ka shtuar ai.
Haradinaj tha se beson se Kosova e ka vendin në NATO, për të qenë krah miqve ndërkombëtarë për ta ndihmuar në paqe dhe liri.