image 7 komisione parlamentare mbajnë mbledhje sot, raportojnë ministri Zemaj dhe drejtori në detyrë i policisë

Kosovë

7 komisione parlamentare mbajnë mbledhje sot, raportojnë ministri Zemaj dhe drejtori në detyrë i policisë

news image

Shtatë komisione parlamentare do të mbajnë mbledhje sot në Kuvendin e Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

Në komisionin e parë që do të mblidhet në ora 10:00, atë për Çështje të Sigurisë, do të raportojë ushtruesi i detyrë së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Ai është ftuar që të raportojë për zhvillimet e fundit në Policinë e Kosovës dhe të gjeturat e raportit të Komisionit Evropian për vitin 2020.

Në po të njëjtën kohë do të fillojë edhe mbledhja e Komisionit për Legjislacion, në të cilët së bashku me institucionet përgjegjëse të sektorit të drejtësisë, anëtarët e këtij komisioni do të diskutojnë rreth adresimit të rekomandimeve të dala nga raporti i vendit për vitin 2020.

Në orën 11 do të mblidhet Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, i cili pritet të shqyrtojë raportin e auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare 2019 për Postën e Kosovës, raportin e auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare 2019 për Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” Prizren.

Ndërkaq në orën 13:00 janë planifikuar mbledhjet e katër komisioneve tjera: Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime; Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis; Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale i cili do të mbajë takim me ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj mbi menaxhimin e situatës me COVID-19, si dhe Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, i cili do të intervistojë Ramush Berishën, kryetar i Sindikatës së pavarur të Fabrikës së Amortizatorëve në Prishtinë./Gazeta Sinjali/