Gjatë ditës së sotme, shtatë komisione parlamentare do të mbajnë mbledhje, katër prej të cilave do të fillojnë në orën 10:00, shkruan Gazeta Sinjali.
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës, për Persona të Pagjetur dhe Peticione do të bëjë prezantimin e Raportit të shqyrtimit post-legjislativ të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi.
Ndërkaq, në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes raporton drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Fadil Kodra.
Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim diskuton planin për mbikëqyrjen e procesit integrues 2020-2021 dhe inkuadrimi i të gjeturave në planin e punës se komisionit.
Derisa, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton Raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, për vitin 2020.
Në orën 11:00 do të mbahet mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport, gjatë të cilës do të shqyrtohet lista e kandidatëve për Anëtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Dy orë më vonë, në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e planifikim hapësinor dhe Infrastrukturë, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, do të raportojë për planin dhe prioritetet e ministrisë për këtë vit.
Komisioni i fundit që të mbajë mbledhje sot është ai për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti. Duke filluar nga ora 14:00, ky komision do të shqyrtojë raportin e panelit për zgjedhjen e “Drejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit”./Gazeta Sinjali/