As pas gati gjashtë vjetësh, organet e hetuesisë nuk kanë arritur që t’i bien në gjurmë vrasësit apo vrasësve të ish-kandidatit për deputet nga radhët e Partisë Demokratikë të Kosovës, Elvis Pistës. Në Prokurorinë e Gjakovës thonë se ky rast mbetet barrë e rëndë, por se edhe pas shumë veprimeve të ndërmarra nuk kanë arritur që ta zbardhin.
Ishte mesnata e 15 qershorit të vitit 2014, kur ish-kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Elvis Pista, e qëllua me armë zjarri në oborrin e një restauranti të quajtur “Jaha Petrol”, në Rahovec.
Pista atë natë po festonte ditëlindjen e bashkëshortes së tij, e cila në atë kohë ishte edhe shtatzënë. Bashkë me të kishin qenë edhe dy miq të familjes, të cilët kishin me vete edhe bashkëshortet e tyre.
Plagëve që mori nga pesë plumbat që u shkrepën në drejtim të tij, Pista nuk arriti të iu mbijetojë. Ai ndërroi jetë rrugës për në Spitalin e Rahovecit.
Në ditët e para pas vrasjes, Prokuroria Themelore në Gjakovë kishte intervistuar gjithsej 84 persona në cilësinë e dëshimtarëve dhe të dyshuarve, përfshirë edhe gruan dhe shokët që ishin bashkë me të atë natë, për të zbardhur këtë rast, por pa rezultat.
Edhe pak ditë, bëhen plotë gjashtë vite nga dita e vrasjes. Por, edhe pas kaq shumë vitesh, vrasja e tij vazhdon që të mbetet ende mister, meqenëse organet e hetuesisë nuk kanë arritur ende që t’i bien në gjurmë vrasësit apo vrasësve të Pistës.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, i ka thënë se ende nuk ka ndonjë të re rreth këtij rasti.
Deklaron se janë ndërmarrë shumë veprime nga prokurori i çështjes, por se nuk kanë rezultuar me sukses.
“Sa i përket Elvis Pistës shumë veprime janë ndërmarrë nga prokurori i çështjes në bashkëpunim me Departamentin e hetimit të krimeve të rënda, por nuk ka rezultuar me sukses”, ka thënë ai.
Selimaj thotë se ky rast mbetet barrë e rëndë e kësaj prokurorie dhe se do ta trajtojnë më seriozitet çdo informatë që marrin.
“Rasti Pista mbetet barrë e rëndë e kësaj prokurorie, por çdo informacion që e marrim lidhur me këtë rast do ta trajtojmë me seriozitet”, thuhet në përgjigjet e Selimajt drejtuar Gazetës Express.
Ndërkohë, familjarët të Pistës kanë drejtuar gishtin tek strukturat shtetërore dhe njerëz nga drejtësia, me akuzën se po duan ta stopojnë zbardhjen e rastit.
Nëna e Elvis Pistës, Hidija, ka treguar se kanë kërkuar që rasti të kaloj në Prokurorinë Speciale, mirëpo ka thënë se për këtë kërkesë nuk janë mirëpritur.
“Ju e dini që rasti trajtohet nga Prokuroria e Gjakovës. Me vajzën time, Beatrisën kemi qenë tek prokurori Ali Ukaj për të tërhequr lëndën dhe ta dërgojmë në Speciale, mirëpo nuk jemi mirëpritur për këtë”, ka treguar ajo.
Sipas saj, dikush po dëshiron që të mos zbardhet ky rast.
“Elvisi më 15 qërshor të vitit 2020 i bën gjashtë vite nga vrasja. Është shumë e qartë që këtë rast dikush ose disa po e stopojnë, duke filluar nga prokuroria e Gjakovës. Nga ana tjetër kemi angazhuar avokatin e familjes, Arianit Koci, që të përcjellë ecurinë e rastit te krimet e rënda, por as avokatit nuk i kanë dhënë hapësirë të ketë qasje në rast”, ka deklaruar nëna e Elvisit për media para disa muajsh.
Elvis Pista, ish-kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, konsiderohej si njëri ndër biznesmenët më të suksesshëm nga Rahoveci.
Për një kohë, ai kishte punuar edhe në Post-Telekomin e Kosovës. Në zgjedhjet e 8 qershorit të vitit 2014, saktësisht një javë para se të vritej, ai kishte dalë si personi i dytë më i votuar në Rahovec nga partia e tij./Gazeta Sinjali/