image Kosova shënon 10 vjetorin e themelimit të Gjykatës Kushtetuese

Drejtësi

Drejtësi/ Kosova shënon 10 vjetorin e themelimit të Gjykatës Kushtetuese

news image

Gjykata Kushtetuese e Kosovës kremton jubileun e dhjetë prej themelimit me një ceremoni solemne, që do të organizohet sot në Prishtinë.

Ceremonia do të fillojë në orën 17:00 dhe pritet të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetërorë, përfaqësuesit e akredituar të misioneve diplomatike dhe të organizatave ndërkombëtare në vend, si dhe delegacionet e nivelit më të lartë nga Gjykatat Kushtetuese të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Kroacisë, Turqisë, Republikës Çeke, Portugalisë, Luksemburgut dhe Maltës.     

Pjesëmarrës në ceremoninë e përvjetorit jubilar të Gjykatës Kushtetuese do të jetë edhe juristja e njohur ndërkombëtare njëherësh përfaqësuesja e Republikës së Irlandës në Komisionin e Venecias, Grainne McMorrow, si dhe drejtori për çështje ndërkombëtare i Shoqërisë Federale Amerikane për Studime të Ligjit dhe të Politikave Publike, Jim Kelly.

Me fjalim rasti, pjesëmarrësve në këtë ceremoni do t’i drejtohen kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Arta Rama-Hajrizi, përfaqësuesja e Republikës së Irlandës në Komisionin e Venecias, Grainne McMorrow dhe ish-gjyqtarja ndërkombëtare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Snezhana Botusharova.

Po ashtu, në shënim të 10-vjetorit të punës së Gjykatës Kushtetuese, nesër me fillim në orën 10:00, do të mbahet konferenca ndërkombëtare në temën: “Sigurimi i sundimit të ligjit dhe i të drejtave të njeriut përmes mekanizmave të drejtësisë kushtetuese: Sfidat e shekullit 21″. /Gazeta Sinjali/