Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se është dorëzuar kërkesa zyrtare për shkarkimin e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq.
Sipas Kamberit, kërkesa është iniciuar nga grupi parlamentar i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, SDA e Sanxhakut dhe Partia për Veprim Demokratik, ndërsa është mbështetur me nënshkrimet e 53 deputetëve të opozitës serbe.
Kamberi ka njoftuar se kërkesa i është dorëzuar kryeministrit të Serbisë, Gjuro Macut, me kërkesën që ai t’i propozojë Kuvendit Popullor shkarkimin e Paunoviqit.
Sipas tij, arsyeja e kësaj kërkese janë deklaratat e ministres serbe lidhur me shqiptarët dhe Kosovën, të cilat kanë shkaktuar reagime të shumta në rajon dhe më gjerë.
“53 deputetë të opozitës kanë kërkuar që pa vonesë të iniciohet shkarkimi i ministres Paunoviq, pas deklaratave të saj me të cilat ajo arsyetoi spastrimin etnik të shqiptarëve gjatë viteve ’90”, ka deklaruar Kamberi.
Ai ka thënë se kryeministri serb tashmë ka përgjegjësi politike dhe institucionale për të reaguar, duke kërkuar që në Qeverinë e Serbisë të mos ketë persona që, sipas tij, promovojnë ide të dëbimit dhe shkeljes së të drejtave të komuniteteve.
Deklaratat e Paunoviqit kanë nxitur reagime të shumta nga Kosova, Shqipëria dhe Bashkimi Evropian, ndërsa vetë ministrja serbe ka kërkuar falje duke pretenduar se fjalët e saj janë interpretuar jashtë kontekstit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!