image Borisllav Stefanoviq: Njohja e Kosovës do ta shuante Serbinë si shtet sovran - Sinjali

Borisllav Stefanoviq: Njohja e Kosovës do ta shuante Serbinë si shtet sovran

news image

Ish-udhëheqësi i delegacionit të Serbisë gjatë bisedimeve me Kosovën, Borisllav Stefanoviq, ka thënë se nuk do ta njihjte pavarësinë e Kosovës dhe se një veprim i tillë i mundshëm nga Serbia, do ta fshinte Serbinë si një shtet sovran dhe evropian, transmeton Gazeta Sinjali.

Më 8 mars janë bërë dhjetë vjet që nga mbajtja e takimit të parë mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të bisedimeve të Brukselit.

Në pranverën e 2011-ës delegacioin e Kosovës e udhëhiqte, Edita Tahiri, ndërkaq përballë saj Serbia kishte vendosur, Borisllav Stefanoviqin.

Është Stefanoviq që në një intervistë për Klan Kosovën ka dhënë vlerësimet e tij prej kur ka qenë i kyçur në këtë proces dhe më pas pikëvështrimin për rrjedhën njëdekadëshe të zhvillimeve mes dy palëve.

Ai ka folur për procesin e njohjes e reciproke Kosovë-Serbi, që është cak që synohet të arrihet përmes procesit të bisedimeve.

Stefanoviq ka thënë se është kundër njohjes së Kosovës si shtet i pavarur, duke shtuar se këtë Serbisë nuk është duke ia kërkuar as Bashkimi Evropian.

“Nuk besoj në zgjidhje të lehta. Gjithashtu nuk besoj që Bashkimi Evropian është duke ia kërkuar Serbisë që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Ne respektojmë faktin se shumë vende të respektuara dhe të rëndësishme e kanë njohur pavarësinë e Kosovës si të drejtë të tyre të posaçme”.

“Tutje, është thjeshtëzim dhe rrezik nëse dikush beson se njohja e Kosovës nga Beogradi do të zgjidhte diçka nga ajo çfarë është duke ndodhur në Kosovë sot, apo nuk do ta bënte dikë të jetë në situatë më të mirë ekonomike, sociale ose të sigurisë”, ka thënë Stefanoviq.

“Këmbëngulja e vazhdueshme nga kryeqendrat që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që edhe Beogradi ta bëjë të njëjtën, neve po na largon nga problemet reale dhe eleminimi i tyre. Unë thjeshtë refuzoj të besoj se dikush në Prishtinë beson se një një veprim i qeverisë sonë mund ta ndryshojë realitetin në Kosovë. Mbi të gjitha, kemi dëgjuar për vite nga Prishtina që Kosova është e pavarur dhe e njohur ndërkombëtarisht si shtet. Atëherë pse ju duhet njohja nga ne?”.

Stefanoviq ka theksuar se njohja vetëm do t’i largonte Kosovën dhe Serbinë.

Në këtë intervistë nënkryetari i Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë ka thënë se zgjatja e negociatave iu konvenon akterëve të ndryshëm në Beograd dhe Prishtinë.

Ndërkaq ka shtuar se edhe sikur të ishte në pushtet nuk do ta njihte Kosovën si të mëvetshme. Për të pajtimi Kosovë-Serbi do të niste të ndodhte kur Vuçiq të bie nga pushteti – që për të është afër të ndodhë.

Ditë më parë janë bërë dhjetë vjet nga fillimi i procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Si ish udhëheqës i delegacionit të Serbisë, çfarë vlerësoni si të arriturën më të madhe në këtë proces për këtë dekadë?

Borisllav Stefanoviq: Shoh faktin se negociatat tona të atyre ditëve kanë hapur rrugën e normalizimit për secilin që jeton në Kosovë dhe, që kemi arritur përmes aq vështirësish dhe papërsosshmërish për të arritur marrëveshje të rëndësishme teknike. Është për keqardhje se si disa prej atyre marrëveshjeve të arritura ende nuk janë zbatuar.

Dialogu ynë ka filluar me shumë mosbesim dhe keqkuptime të kota, por që na ka sjell më afër normalizimit dhe pranimit të dallimeve tona. Po ashtu ka ndihmuar për të zgjidhur disa prej problemeve që i mundonin bashkë, serbët dhe shqiptarët, duke ua mundësuar qytetarëve që të lëviznin lirshëm dhe të bënin tregti.

Na pret shumë punë ende, pasi Serbia ta arrijë demokratizimin, duke njohur gabimet e së shkuarës dhe me respekt të pozicioneve tona rreth brengës për statusin e Kosovës e Metohisë.

Procesi i dialogut pati nisur në format teknik, por që pastaj arriti në format politik. Cilin prej formateve e shihni si më të suksesshëm dhe pse?

Borisllav Stefanoviq: Sigurisht them se i pari. Fakti që qeveria jonë këmbënguli që të fliste rreth statusit në nivelin më të lartë, s’zgjidhi asgjë. Vetëm i ndihmoi ata që të vazhdonin vonesat dhe zvarritjet, premtimet e rreme dhe të parealizueshme.

Këmbëngulja në negociatat e nivelit të lartë politik dhe heqja e çështjes së statusit nga Kombet e Bashkuara në Bruksel, ishte një prej gabimeve të ngutshme që bëri regjimi i Aleksandër Vuçiqit. Jo sepse çështja e statusit është e irrelevante apo e parëndësishme, porse është një problem ku e përbashkëta duket të jetë më frikësuese. Nëse shohim tash ndikimin e marrëveshjeve të Brukselit, duhet me të vërtetë të jemi shumë optimistë dhe të duam që t’i gjejmë ca gjëra që tanimë funksionojnë dhe që sjellin fryte. Është proces i vazhdueshëm i mundësive të humbura, mbështjell me fshehtësi dhe shtyrje.

Ata janë duke u përpjekur aq shumë për të fshehur gjithçka nga qytetarët, janë duke luajtur me emocionet e njerëzve dhe aspiratat e tyre, në mënyrë që të vazhdohet me korrupsion, pasurim personal dhe kapje të pushtetit. E mira është që duket se ata nuk do të vazhdojnë që të jenë gjatë në pushtet dhe, atëherë pajtimi i vërtetë mund të nisë.

Kjo dekadë bisedimesh nga aktorë të ndryshëm shihet si periudhë me pak të arritura. Nga pikëpamja juaj, i kujt është faji?

Borisllav Stefanoviq: Të gjithë ne duhet fajësuar, por mbi të gjitha, mosvullneti i elitave politike aktuale në Prishtinë dhe Beograd që mbahen me iluzione dhe dredhime mediatike, vetëm e vetëm për të qëndruar në pushtet – të mbështjellë me flamuj kombëtarë – derisa njerëzit, bashkë shqiptarë dhe serbë, jetojnë në varfëri dhe janë në kërkim të një jete më të mirë në Zvicër apo Gjermani.

Ata ende besojnë se shpjegimet e tyre të bazuara në media për secilin raund të bisedimeve shterpë hyjnë në punë ekskluzivisht për elektoratin e tyre dhe audiencën e tyre të brendshme politike.

Gjer tani, ka ca gjëra për të cilat Beogradi dhe Prishtina kanë arritur të pajtohen, marrëveshje të cilat kanë dhënë ndihmë të paktën për një pjesë të njerëzve që jetojnë në Kosovë. Besoj se trendi është i mirë dhe se ne duhet vazhduar me dialogun dhe me kërkesat tona për zgjidhje paqësore të dallimeve tona të shumta.

Kur besoni se mund të ketë një epilog të procesit të bisedimeve?

Borisllav Stefanoviq: Mund të përfundojë me një marrëveshje në mes të Beogradit dhe Prishtinës në të cilën në duhet mbuluar të gjitha qoshet e marrëdhënies sonë dhe që marrëveshja e ardhshme do të largojë efektivisht elementet joreale dhe ta papranueshme.

Marrëveshja e ardhshme duhet të jetë esëll për ne të gjtihë, por e kthyer fuqishëm drejt të ardhmes sonë të përbashkët evropiane. Sidoqoftë, për sa kohë që ky proces shihet si një kupon për një shërbim buzësh drejt Brukselit dhe Ëashingtonit, pa një interes real për të zgjidhur probelmet reale, lirinë e lëvizjes, të drejtën për të pranuar shërbim mjekësor, shkollimin, punën dhe sigurinë, në përmbajtje do të jetë shterpë.

A e shihni fundin e procesit të dialogut me njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç e thonë SHBA dhe BE çdoherë, apo mendoni se mund të ketë marrëveshje pa njohje?

Borisllav Stefanoviq: Nuk besoj në zgjidhje të lehta. Gjithashtu nuk besoj që Bashkimi Evropian është duke ia kërkuar Serbisë që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Ne respektojmë faktin se shumë vende të respektuara dhe të rëndësishme e kanë njohur pavarësinë e Kosovës si të drejtë të tyre të posaçme. Tutje, është thjeshtëzim dhe rrezik nëse dikush beson se njohja e Kosovës nga Beogradi do të zgjidhte diçka nga ajo çfarë është duke ndodhur në Kosovë sot, apo nuk do ta bënte dikë të jetë në situatë më të mirë ekonomike, sociale ose të sigurisë.

Përkundrazi, këmbëngulja e vazhdueshme nga kryeqendrat që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që edhe Beogradi ta bëjë të njëjtën, neve po na largon nga problemet reale dhe eleminimi i tyre. Unë thjeshtë refuzoj të besoj se dikush në Prishtinë beson se një një veprim i qeverisë sonë mund ta ndryshojë realitetin në Kosovë. Mbi të gjitha, kemi dëgjuar për vite nga Prishtina që Kosova është e pavarur dhe e njohur ndërkombëtarisht si shtet. Atëherë pse ju duhet njohja nga ne?

Ne besojmë në pajtimin e vërtetë, largimin e të gjitha pengesave dhe vështirësive mes nesh, në ekonomi, lëvizje të lirë dhe edukim, gjetjen e personave të zhdukur. Njohja është akt sovran për secilin shtet të pavarur. Ju e shihni se çfarë ndodh kur dikush beson se është e mjaftueshme vendosja e dy liderëve në një tryezë të vogël në Shtëpinë e Bardhë dhe të nënshkruajnë çfarë dhe ku do t’i vendosin ambasadat e tyre, apo si duhet ta trajtojnë teknologjinë 5G.

Zgjidhja e problemit qëndron diku tjetër. Ne mund besojmë se do të ketë në të ardhmen marrëveshje në mes të dy qeverive demokratike dhe pro evropiane, me respektim të plotë në çështje të mëdha të cilat nuk mund të shihen si pikë për fërkim mes nesh, por gjithashtu si një pikë fati apo zgjidhje fitore-humbje. Thjeshtë, nuk është kështu dhe as do të jetë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë shumë herë se derisa ai të jetë në pushtet në Beograd nuk do ta njohë Kosovën si shtet. Si e shihni qëndrimin e tij dhe a besoni se është i duhuri?

Borisllav Stefanoviq: Qëndrimi i tij është i mbarësuar me interesin e tij personal dhe partiak. Ai gjithashtu e kaa thënë shumë herë se ai nuk do ta njohë kurrë Kosovën “në kufijtë aktual”. Dhe, cila ishte pasoja e një qëndrimit të tillë? Asgjë. As rezultate, as probleme të zgjidhura, përveç që ka arritur që të gjithë serbët e Kosovës t’i anëtarësojë në partinë e tij, duke iu bërë shantazhe, presion dhe dhunë.

Në anën tjetër, ne kemi z. Albin Kurti që beson se dialogu nuk është ndër prioritete, dhe kemi z.Ramush Haradinaj, që është duke shtyrë prapë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Asnjëra prej këtyre s’është e mundshme, as realiste, as nuk do të realizohen kurrë. Ata vetëm po duan që të hedhin piper syve të njerëzve, për t’i verbuar ata, në mënyrë që të ketë korrupsion më të madh dhe krim çdokund. Unë besoj që ne duhet t’i zgjidhim problemet reale që ekzistojnë në rajon dhe në Kosovë, që më në fund të mund të nisim të flasim dhe të dëgjojmë.

Nëse ju do të ishit në pushtet në Serbi, cili do të ishte qëndrimi juaj? A do ta njihnit Kosovën të pavarur? Nëse po, pse? Nëse jo, pse?

Borisllav Stefanoviq: Nuk do ta njihja pavarësinë e Kosovës. Jo vetëm se është kundër kushtetutës tonë, por sepse do të ishte padrejtësi dhe tragjedi e madhe për vendin tonë e cila do të mund të ngjallte breza individësh hakmarrës dhe projekte kombëtare që janë të dëmshme dhe të rrezikshme për politikën tonë në ditët në vijim. Për të mos thënë se një veprim i tillë do ta fshinte Serbinë si një shtet sovran dhe evropian. Në anën tjetër, unë sigurisht se do të zgjidhja gjithçka tjetër që do të binte mes nesh.

A do të zgjidhte diçka, apo vetëm se do të thellonte plagët? Besoj se vetëm do ta na largonte më shumë.

A do të mjaftonte për të gjithë ne që të fillonim të jetonim në marrëdhënie normale, në rrugën evropiane? A do të mundte që njohja formale e Kosovës nga Serbia të sillte jetë më të mirë apo diçka substanciale për të gjithë ne, përveç se do të ishte përmbushje e projektit kombëtar dhe aspiratave kombëtare në dëm të të tjerëve? A do të kishte punë për njerëzit apo do të ndihmonte familjet që ende provojnë që t’i gjejnë më të dashurit e tyre? Jo.

E di që shumë njerëz në Prishtinë dhe në kryeqendrat tjera nuk do të pajtohen me mua, por që nuk jemi të obliguar që të pajtohemi në gjithcka, vetëm për gjërat thelbësore për jetë normale dhe demokratike për njerëzit tanë. Mendoj se kjo është një pikë e mirë për marrëdhëniet tona në të ardhmen. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin