Për 4 muaj, nga 11 dhjetori i vitit 2020 e deri më 6 prill të vitit 2021, për tërheqje të 10 përqindëshit në Trustin Pensional i Kosovës kanë aplikuar 427 mijë e 371 qytetarë.
Tërheqja e mjeteve nga Trusti ishte paraparë në kuadër të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.
Jeton Demi, zëdhënës i Trustit tha për Ekonomia Online se procesi i tërheqjes më përjashtim të disa problemeve teknike në ditët e para ka shkuar mirë, ndërsa bëri të ditur se në ditën e parë për vetëm 8 orë, kanë aplikuar 220 mijë kontributdhënës.
“Ato pak telashe, vështirësi teknike në fillim për 30-40 minuta janë tejkaluar dhe vetëm ditën e parë për diku 8 orë kanë aplikuar rreth 220 mijë kontribuues dhe vetëm gjatë dhjetorit kanë aplikuar rreth 398 mijë kontribuues. Deri më datë 6 prill kur edhe ka përfunduar afati i aplikimit numri total shkoi në 427 mijë e 371 aplikime”, tha ai.
Demi ka treguar se numri më i madh i aplikimeve ka qenë ai i kategorisë nga 1 000-2 000 euro, ku kanë aplikuar 95.3 për qind e kësaj kategorie.
“Kontribuuesit me bilanc mbi 1000-2000 euro është kategoria që kanë aplikuar më së shumti, janë 95.3 për qind e aplikuesve të kësaj kategorie nga numri 43 mijë e 851 kontribues që mund të aplikonin kanë aplikuar 41 mijë e 779 persona dhe janë kategoria që kanë tërhequr më së shumti mjete. Ndërsa në vlerë mbi 500-1000 euro kanë tërhequr rreth 53 milionë euro dhe janë mbi 95 për qind e kësaj kategorie që kanë aplikuar për tërheqje”, tha ai.
Demi si vështirësi ka përmendur të dhënat që kanë pasur kontribuuesit në raport me bankat, por ka thënë se asnjë rast nuk kanë në proces që ka aplikuar e të cilit nuk i është gjetur zgjidhja.
“Vështirësitë kryesore që nuk kishin të bënin me platformën tonë të aplikimit kishin të bënin me raportet që kontribuuesit i kishin me bankat, me mirëmbajtjen e llogarive të tyre bankare dhe faktin që ligji e kishte parashikuar ato kushte ligjore që një person nuk mund të aplikojë me llogari as të biznesit as të dikujt tjetër, por me llogari personale aktive dhe pa ndonjë kufizim i cili bie ndesh me këto rregullime ligjore qoftë edhe të valutës pasi kemi pasur llogari të shënuara me valutë dollar që në sistemin tonë ka qenë e përcaktuar që duhet të jenë euro. Të gjitha këto vështirësi janë tejkaluar shpejt dhe nuk kemi asnjë rast të ngelur në proces të aplikimit i cili nuk ka gjetur zgjidhje në kohë”, tha ai.
Demi ka bërë të ditur se në bazë të ligjit askush s’ka mundur të aplikojë për tërheqje të mjeteve pas datës 6 prill.
Qeveria e Kosovës në kuadër të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike kishte mundësuar tërheqjen e 10 përqindëshit të kursimeve, si dhe rimëburësimin për tërheqje nën shumën 1 000 euro.
Sipas ekspertëve të ekonomisë tërheqja e mjeteve nga Trusti ndonëse ka qenë e mirëseardhur mjetet kryesisht kanë shkuar në konsum. /Gazeta Sinjali/