Konfliktet në mes të rinjve janë të shpeshta në vendin tonë. Ato shpesh herë eskalojnë me sharje, ofendime, kërcënime e sulme fizike mes njëri-tjetrit, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në Prishtinë, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore një personi tjetër.
Sinjali mëson se motivi që shtyu drejt përleshjes mes dy burrave është një konflikt i mëhershëm mes tyre, ashtu që 42-vjeçari ka grushtuar një 31-vjeçar, duke i shkaktuar atij frakturë në nofull.
Viktima u dërgua me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po vazhdon trajtimin mjekësor për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
I dyshuari ishte larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, por që nuk ka arritur ta shijojë lirinë për shumë gjatë.
Ai u arrit që të arrestohet sot, e më pas të shoqërohet në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, prokurori ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti ‘Lëndim i rëndë trupor’ dhe i njëjti të dërgohet në mbajtje për 48 orë.