image 41 mijë e 12 persona do të votojnë për herë të parë në Kosovë

Politikë

41 mijë e 12 persona do të votojnë për herë të parë në Kosovë

news image

Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale që pritet të mbahen gjatë këtij muaji, ka përfunduar, shkruan Gazeta Sinjali.

Lista përfundimtare e votuesve për këtë vit ka 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.

Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një prononcim për Gazetën Sinjali, ku ka njoftuar se numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë është: 41 mijë e 12 votues, prej të cilëve 24 mijë e 697 kanë arritur moshën 18 vjeç pas datës 14 shkurt 2021.

“Po ashtu, si votues të rinj, konsiderohen edhe 7 mijë e 378 votuesit të cilët janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe që ishin larguar nga lista votuese sepse kanë pasur vetëm dokumente identifikimi të lëshuara nga UNMIK-u”, ka thënë ai për Sinjalin.

Tutje ai ka shtuar se numri i qendrave të votimit në të gjithë Kosovën është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime.

Kurse, Elezi ka treguar për Sinjalin se numri i votuesve që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës është 15 mijë e 532.

“Periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës ka filluar më 10 korrik dhe është përmbyllur më 18 gusht 2021. Gjatë kësaj kohe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 18 mijë e 852 aplikacione për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 15 mijë e 532 ndërsa janë refuzuar 3 mijë e 320 aplikacione pasi nuk kanë plotësuar kriteret juridike”, ka shtuar ai. /Gazeta Sinjali/