Një numër gjithnjë e më i madh i të moshuarve në Japoni po zgjedhin të vazhdojnë punën edhe pas moshës së pensionimit, kryesisht për shkak të nevojës për të siguruar të ardhura shtesë.
Sipas raportit më të fundit të qeverisë japoneze mbi plakjen e popullsisë, afro 40 për qind e qytetarëve mbi moshën 65-vjeçare shprehin dëshirën për të mbetur aktivë në tregun e punës. Pothuajse gjysma e tyre e lidhin këtë vendim me nevojat financiare dhe sigurimin e një jetese më të qëndrueshme.
Raporti tregon se motivet ekonomike mbeten arsyeja kryesore për vazhdimin e punës, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve theksojnë se aktiviteti profesional ndikon pozitivisht në mirëqenien fizike dhe mendore. Rreth një e katërta e tyre besojnë se puna i ndihmon të ruajnë shëndetin dhe të mbeten aktivë për më gjatë.
Të dhënat zyrtare tregojnë se personat mbi 65 vjeç përbënin 13.7 për qind të fuqisë punëtore japoneze gjatë vitit 2025. Përqindja e punësimit në këtë grupmoshë ka shënuar rritje të vazhdueshme për më shumë se dy dekada.
Ndërkohë, Japonia vazhdon të përballet me sfidën e plakjes së popullsisë. Aktualisht, pothuajse një e treta e banorëve të vendit janë mbi moshën 65 vjeç, ndërsa parashikimet tregojnë se deri në vitin 2070 kjo kategori do të përfaqësojë afërsisht 40 për qind të popullsisë.
Ekspertët vlerësojnë se këto zhvillime do të ndikojnë ndjeshëm në tregun e punës, sistemin e pensioneve dhe politikat sociale të vendit në dekadat e ardhshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!