Numri i rasteve të dhunës në familje në Kosovë dita ditës po rritet, ku vetëm gjatë ditës së djeshme në Kosovë janë raportuar katër raste të dhunës në familje, shkruan Gazeta Sinjali
Në fshatin Letanc të Podujevës, rreth orës 20:00, është arrestuar një person, i cili kishte sulmuar fizikisht motrën e tij duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima fillimisht është dërguar për trajtim mjekësor në emergjencën e Podujevës, kurse më pas në QKUK.
Mirëpo, Podujeva nuk është vendi i vetëm në të cilin gjatë ditës së djeshme është raportuar për dhunë në familje. Sinjali mëson se në fshatin Zhur të Prizrenit, një burrë ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, ku viktima pas sulmit ka pranuar tretman mjekësor.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se në rrugën “Beqir Kastrati”, në Gjakovë, rreth orës 07:34, është arrestuar një person, i cili përmes telefonit kishte ofenduar bashkëshorten e tij.
E as Gjilani nuk ju ka shpëtuar rasteve të dhunës në familje. Sinjali mëson se një burrë me nënshtetësi turke është arrestuar pasi që i njëjti kishte maltretuar fizikisht dhe psiqikisht gruan e tij. Njëkohësisht ai kishte kërcënuar viktimën edhe me vdekje. /Gazeta Sinjali/