Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre, por edhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes në Llapnasellë të Graqanicës, ku një burrë ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij në një hotel.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 03:21, në hotelin “KONSTANTIN”, ku një 35-vjeçar dyshohet se ka goditur me duar bashkëshorten e tij, 41-vjeçare duke i shkaktuar lëndime në dorën e majtë.
Me të marrë lajmin, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur të dyshuarin në gjendje të dehur.
I dyshuari është arrestuar nga Policia, ndërsa viktima është dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për “Dhunë në familje”, ndërsa ai do të intervistohet në prani të avokatit sapo të jetë në gjendje të japë deklaratë.
Rasti po hetohet nga organet kompetente.