image 32 vite i 'lidhur' për LDK-në - Kush ishte Haki Rugova?

Profile

32 vite i ‘lidhur’ për LDK-në – Kush ishte Haki Rugova?

news image

Haki Rugova i lindur më 23.02.1957 në Istog, ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës që nga formimi i saj në vitin 1989.

Rugova, pas vdekjes së veprimtarit tjetër të LDK-së që udhëhiqte me me Istogun, Fadil Ferati, mori ‘në duar’ Komunën, duke bërë kështu që e gjithë karriera e tij politike të fokusohej aty, shkruan Gazeta Sinjali.

Që nga viti 2010 e deri në vitin 2021, Rugova do ta drejtonte Istogun për tri mandate radhazi, me ç’rast kjo komunë u bë bastion i pathyeshëm për vendlindjen e themeluesit të LDK-së, Ibrahim Rugovës.

Suksesi i tij në zgjedhjet lokale që mbaheshin në Kosovë, i hapi rrugë edhe për t’u ngjitur në majat e partisë.

Gjatë kohës kur Isa Mustafa e udhëhiqte LDK-në, Rugova ishte një nga nënkryetarët e partisë.

Por me reformat e bëra në LDK me ardhjen e Lumir Abdixhikut në krye, Haki Rugova u largua nga kryesia e partisë, duke mbetur kështu vetëm kryetar i Komunës së Istogut dhe kryetar i Degës së partisë në këtë komunë.

E në mandatin e fundit të udhëheqjes së tij me Istogun, ai u përball me ligjin, pasi që dyshohej se kishte kryer veprën penale ‘Konflikt i interesit’, por që më pas, Gjykata e Apelit e liroi atë nga akuza.

Në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura më 17 tetor 2021, Rugova ia lëshoi ‘udhën’ Ilir Feratit t’i hynte garës për të parin e Istogut.

Rugova ishte shprehur atëherë se do ta mbështet fuqishëm Feratin në këtë garë dhe do ta bëjë atë kryetar.

Dhe ashtu doli.

Haki Rugova mbylli sytë përgjithmonë mëngjesin e 9 marsit, duke lënë pas vetës bashkëshorten dhe tre fëmijë.

/GazetaSinjali/