image 30 ditë paraburgim kundër vëllezërve Bytyqi, cilat janë lidhjet e tyre me ISIS-in?

Drejtësi

30 ditë paraburgim kundër vëllezërve Bytyqi, cilat janë lidhjet e tyre me ISIS-in?

news image

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj vëllezërve Denis Bytyqi, 25 vjeçar dhe Enis Bytyqi, 32 vjeçar.

Dyshja dyshohen për veprat penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” dhe “Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës”, raporton Gazeta Sinjali.

Për rastin dje raportoi ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Operacioni është realizuar më 1 maj 2025, me bastisje në shtëpinë e të dyshuarve. Gjatë kontrollit janë sekuestruar: Pajisje elektronike të ndryshme që dyshohet se përmbajnë materiale të ndaluara; Flamuj me mbishkrime arabe, që sipas burimeve nga hetuesit përdoren nga organizata terroriste ISIS.

Ndërsa, sipas njoftimit të gjykatës, masa e paraburgimit është konsideruar si veprim i domosdoshëm për shkak të rrezikut për arratisje të të dyshuarve, ndikimit të mundshëm në prova dhe dëshmitarë, si dhe rrezikut për përsëritje të veprave penale.

“Ekziston dyshimi i bazuar se në fshatin Shashkoc të Komunës së Prishtinës, të dyshuarit prej kohës së pavërtetuar e në vazhdimësi deri me datën 01.05.2025, kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje e mos-durim midis grupeve fetare si dhe kanë propaganduar ideologji ekstreme fetare në atë mënyrë që të njëjtit kanë postuar në ‘Tik-Tok’ dhe ‘Facebook’, material duke e përkrahur organizatën ‘ISIS’, ashtu që kanë vendosur flamuj të organizatës terroriste ‘ISIS’ mbi kulmin-çatinë e shtëpisë së tyre, kanë bërë grafitë me shkronja arabe në muret e shtëpisë së tyre, po ashtu përmes rrjeteve sociale, kanë propaganduar duke shpërndarë video përmes të cilave kanë shprehur qartë përkrahjen e ideologjisë së organizatës terroriste ‘ISIS’”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Tutje, thuhet se: “Në njërën nga videot e publikuara i pandehuri D.B. ka shfaqur pamje të fytyrës së tij para një shtëpie ku valëvitet flamuri bardh e zi me simboliken e ‘ISIS’, me të cilat postime të njëjtit kanë shpreh armiqësi të thellë ndaj institucioneve shtetërore, Forcave të Sigurisë së Kosovës, liderëve politik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë atyre që nuk ndajnë ideologjinë e tyre ekstremiste. Dyshimi i bazuar se të pandehurit D.B. dhe E.B. kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen vërtetohet nga pjesëmarrja e tyre aktive në bashkëkryerjen e veprave penale si dhe shfaqjen publike të ideologjisë së tyre ekstreme”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/