Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, ka njoftuar se vendi i tij është përfshirë në buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të Bashkimit Evropian për periudhën 2028–2034.
Spajiq e ka bërë të ditur lajmin përmes rrjetit social X, duke theksuar se bëhet fjalë për një zhvillim të rëndësishëm që ka ardhur zyrtarisht nga Brukseli.
Ai ka thënë se Mali i Zi është bërë pjesë e kornizës së ardhshme financiare të BE-së për periudhën 2028–2034.
“Vendi ynë është i vetmi shtet kandidat i përfshirë në këtë kornizë financiare, gjë që konfirmon se BE-ja e sheh Malin e Zi si anëtarin e saj të ardhshëm. Sipas projeksioneve të Komisionit Evropian, Mali i Zi do të mund të shfrytëzojë rreth 3.2 miliardë euro nga buxheti i BE-së, sipas të njëjtës strukturë që vlen për shtetet anëtare. Kjo nënkupton më shumë investime, mbështetje më të fuqishme për ekonominë, infrastrukturën, bujqësinë, politikat sociale, komunitetet lokale dhe, mbi të gjitha, një cilësi më të mirë të jetës për qytetarët tanë. Falënderoj Komisionin Evropian për besimin, partneritetin dhe mbështetjen në rrugën drejt anëtarësimit të afërt të Malit të Zi në BE”, ka shkruar Spajiq.
Kreu i qeverisë malazeze ka shprehur gjithashtu mirënjohje për Qipron, e cila ka kryesuar Këshillin e Bashkimit Evropian gjatë gjashtë muajve të fundit.
Sipas njoftimit, Komisioni Evropian, pas 17 vitesh, ka nisur punën për Traktatin e Anëtarësimit të një shteti të ri në BE dhe ka prezantuar paketën financiare që lidhet me anëtarësimin e Malit të Zi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!