image 29-vjeçarja përdoruese e narkotikëve shan dhe sulmon prindërit e saj, largohet nga shtëpia në Fushë Kosovë

Siguri

29-vjeçarja përdoruese e narkotikëve shan dhe sulmon prindërit e saj, largohet nga shtëpia në Fushë Kosovë

news image

Nuk janë të pakta rastet në Kosovë, kur viktima të dhunës në familje janë prindërit të cilët përjetojnë nga fëmijët e tyre dhunë psikike e fizike. Shpeshherë këto telashe vijnë si pasojë e përdorimit të alkoolit e substancave narkotike, raporton Gazeta Sinjali.

Një ngjarje e tillë ka ndodhur dje në një familje në rrugën ‘Arbëria’ në Fushë Kosovë, ku një grua dyshohet se ka sulmuar fizikisht prindërit e saj.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se prindërit kanë denoncuar rastin në Polici, ku kanë deklaruar se për shkak të krizave nga narkotikët, e bija i kishte sharë e ofenduar dhe më pas kishte shtyrë nënën dhe kishte goditur babain e saj.

Si pasojë e dhunës që kanë përjetuar, dy prindërit kanë marrë lëndime trupore dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital.

Ndërkohë njësitë policore janë vënë në lëvizje për të lokalizuar vendndodhjen e të dyshuarës, pasi që ajo pasi ka kryer veprën, menjëherë është larguar nga shtëpia.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’, ndërsa veprimet tjera do merren posa të arrestohet 29-vjeçarja.

/GazetaSinjali/