image 90% e të burgosurve të vaksinuar, 28 zyrtarë korrektues të infektuar me COVID-19

Shëndetësi

90% e të burgosurve të vaksinuar, 28 zyrtarë korrektues të infektuar me COVID-19

news image

Rritja e numrit të të infektuarve me COVID-19, ka prekur edhe Shërbimin Korrektues të Kosovës, pasi që 28 zyrtarë të tij janë të infektuar me këtë virus.

Pas masave të reja anti-COVID janë ndaluar vizitat në burgje, por një i burgosur ka rezultuar pozitiv me COVID-19, kurse 90% prej të burgosurve dhe 95% prej stafit në qendrat korrektuese janë vaksinuar.

Zëvendësdrejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Rasim Selmani ka bërë të ditur për KosovaPress se pas përhapjes së madhe të virusit të variantit Delta, kanë ndaluar vizitat familjare për të burgosurit dhe fundjavat në shtëpi për të dënuarit.

Kemi lëshuar një urdhër operativ për të gjitha qendrat korrektuese, me këtë rast i kemi ndaluar përkohësisht deri me datën 15 shtator, të gjitha vizitat familjare të burgosurve. Kemi ndaluar vikendet në shtëpi të burgosurve, punën jashtë institucioneve dhe ndalimin e vizitave në lokale të veçanta. Por, kemi ndërmarrë disa hapa të tjerë me qëllim që të burgosurit të kenë kontakte me familjarët e tyre në sistemin Skype që funksion në institucionet korrektuese dhe thirrje më të shtuara telefonike që të burgosurit të jenë në kontakt të vazhdueshëm me familjet e tyre”, thekson Selmani.

Bazuar në këto masa, janë kufizuar transferimet e të burgosurve. Ndërkaq, janë lejuar kontaktet e të paraburgosurve me mbrojtësit e tyre për rastet që janë zhvillim.

Selmani thotë se 90 për qind e të burgosurve janë vaksinuar deri më tani.

90 për qind e të burgosurve janë të vaksinuar. Hezitimi i tyre është shumë i vogël, mos të them minimal. Tash kemi vetëm një pjesë të të burgosurve që janë të pavaksinuar, ardhjet e reja meqë çdo ditë pranojmë të burgosur. Por, edhe ata janë në procedurë të aplikimit që të vaksinohen së shpejti. Ndërsa, kemi 95 për qind të stafit të të gjitha institucioneve korrektuese që veç janë vaksinuar”, deklaron ai.

Selmani tregon se numri i të burgosurve të prekur me COVID është minimal, ndërsa i zyrtarëve pak më i lartë por që shton se të gjithë kanë gjendje stabile.

Tani për tani kemi vetëm një rast, është vetëm një i burgosur që është me COVID-19, aktualisht po trajtohet. Dhe kemi 28 zyrtarë të Shërbimit Korrektues të cilët janë pozitiv. Por, gjendja e tyre është e mirë dhe janë duke u trajtuar jashtë spitaleve… Kjo paraqet vështirësi por nuk kemi problem në këtë drejtim sepse kemi kapacitete që të mbulojmë ato zbrazëti që ky staf lë gjatë kësaj periudhe”, njofton Selmani.

Gjatë këtij viti nuk ka pasur rritje të numrit të të burgosurve të cilët janë transferuar në qendrat korrektuese, megjithatë janë pranuar rreth 200 të burgosur të rinj.

Ne gjatë kësaj periudhe kemi pranuar diku rreth 200 të burgosur të rinj. Mirëpo lëvizja e tyre vazhdon vazhdimisht, sidomos pjesa e paraburgimit që i caktohet paraburgimi dhe pastaj ndërpritet. Por, nuk ka rritje të burgosurve në institucionet korrektuese. Ne kemi hapësira në institucione edhe për zbatimin e karantinës për të burgosurit që vijnë edhe atyre që lëvizin në gjykata”, bënë të ditur zëvendësdrejtori i ShKK-së.

Vaksinimi masiv i të gjithë të burgosurve dhe stafit korrektues, ka nisur me 16 korrik. Në gjithë vendin, deri më tani janë vaksinuar 31 e popullatës me të paktën një dozë të vaksinës. Gjatë ditës së djeshme janë dhënë mbi 15 mijë doza të vaksinës kundër COVID-19. /GazetaSinjali/