Sot shënohen 27 vjet nga marrëveshja për demilitarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), një nga zhvillimet më të rëndësishme të periudhës së pasluftës.
Marrëveshja e nënshkruar më 21 qershor 1999 parashihte çarmatimin gradual të UÇK-së, ndërprerjen e veprimeve ushtarake dhe transformimin e strukturave të saj në institucione civile, në bashkëpunim me misionin ndërkombëtar të sigurisë në Kosovë.
Në kuadër të saj, pjesëtarët e UÇK-së u përfshinë në procese të ndryshme tranzicioni, përfshirë integrimin në strukturat e sigurisë dhe administratën publike, ndërsa u vendos edhe një periudhë 90-ditore për përmbylljen e procesit të demilitarizimit.
Po ashtu, marrëveshja parashihte edhe themelimin e një force të ardhshme të sigurisë së Kosovës, në linjë me modelet e Gardës Kombëtare të SHBA-ve, duke e lidhur këtë proces me zhvillimet politike për statusin e vendit.
Në shtator të vitit 1999 u nënshkrua edhe marrëveshja për krijimin e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës (TMK), e cila kishte rol kryesisht civil dhe emergjent, duke mos qenë forcë ushtarake.
Nënshkrues të marrëveshjes ishin përfaqësues të UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin dhe Agim Çekun, ndërsa ajo u pranua nga komandanti i atëhershëm i KFOR-it, gjenerallejtënant Mike Jackson.
Marrëveshja e demilitarizimit konsiderohet si një hap vendimtar në kalimin nga lufta në fazën e paqes dhe ndërtimit të institucioneve të Kosovës, duke shënuar fundin e strukturës ushtarake të UÇK-së dhe fillimin e një periudhe të re politike dhe institucionale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!