Një nga institucionet më të njohura arsimore në vend, Gjimnazi Cambridge në Pejë, ka shënuar Ditën e Themelimit, duke kujtuar rrugëtimin që nga viti 1997, kur u hodhën themelet e këtij projekti edukativ.
Ky institucion, që ndër vite është zgjeruar edhe me hapjen e Horizon School në Lipjan në vitin 2022, sot përfaqëson një ndër qendrat e rëndësishme të arsimit dhe formimit të gjeneratave të reja.
Themeluesi i këtyre institucioneve, Prof. Dr. Besim Beqaj, ka rikujtuar me emocion fillimet e këtij misioni, duke theksuar se ky rrugëtim është shndërruar në një familje të madhe edukimi, dijeje dhe vlerash.
Në këtë ditë të veçantë, ai ka uruar të gjithë nxënësit, prindërit, mësimdhënësit dhe stafin, për kontributin e tyre ndër vite në ndërtimin dhe zhvillimin e këtij institucioni.
Një vlerësim i veçantë i është bërë edhe drejtorit Jakup Beqaj, për të cilin është theksuar roli i tij i rëndësishëm në forcimin dhe zhvillimin e shkollës, përmes vizionit dhe përkushtimit ndaj arsimit.
Nga viti 1997 e deri më sot, ky rrugëtim është cilësuar si më shumë se një projekt arsimor, një besim në të ardhmen dhe një dëshmi e punës dhe sakrificës për ndërtimin e institucioneve që lënë gjurmë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!