image 26 vjet burg dhe 65 mijë euro gjobë ndaj katër të akuzuarve për 113 kg heroinë

Drejtësi

26 vjet burg dhe 65 mijë euro gjobë ndaj katër të akuzuarve për 113 kg heroinë

news image

Xhemajl Shala, Sadik Shala, Iskender Sale dhe Alban Gashi të akuzuar për shitblerje të narkotikëve dhe vepra tjera u dënuan me 26 vite burgim dhe 65 mijë euro gjobë.

Aktgjykimi në fjalë, u shpall të martën nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj.

Sipas këtij aktgjykimi, fillimisht i akuzuari Xhemajl Shala dhe Iskender Sale për veprën penale  “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotrope dhe analoge”, secili veç e veç u dënuan me nga 8 vite e 6 muaj burgim dhe 25 mijë euro gjobë.

Ndërsa të njëjtit për veprën penale  “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” u dënuan me nga 1 vit burgim.

Mirëpo, ndaj tyre u shqiptua dënimi unik për secilin veç e veç nga 9 vite burgim në të cilin dënim do tiu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe 25 mijë euro gjobë.

Kurse, ndaj të akuzuarit Sadik Shala për veprën penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotrope dhe analoge” u shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 vite në të cilin dënim do ti llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe 15 mijë euro gjobë.

I akuzuari Alban Gashi për veprën penale “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale” u dënua me 1 vit burgim ndërsa për veprën penale “legalizim i përmbajtjes së rreme” në mungesë të provave i njëjti u lirua nga akuza.

Ndryshe, i akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Labinot Zenelaj, mirëpo, ndaj tij gjykata kishte bërë veçimin e procedurës penale, pasi i njëjti e kishte pranuar fajësinë dhe më 10 mars 2021, ishte dënuar me një vit burgim me kusht dhe 5 mijë euro gjobë për veprën penale të mashtrimit, raporton Betimi për Drejtësi.

/GazetaSinjali/