image 25 yjet e mëdha hollivudiane që kanë qenë mysafirë në serialin e popullarizuar "Friends"

Showbiz/ 25 yjet e mëdha hollivudiane që kanë qenë mysafirë në serialin e popullarizuar “Friends”

news image

Kult komedia televizive, “Friends”, ka zgjatur plot dhjetë vite (1994-2004), ndërsa gjatë asaj kohe në episodet e serialit janë shfaqur një numër i madh i emrave të njohur të Hollywoodit.

Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matthew Perry, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer i kanë argëtuar fansat e serialit me vite të tëra, ndërsa kjo komedi është pëlqyer edhe nga gjenerata e re pas shfaqjes në Netflix.

Mirëpo, pos gjashtë protagonistëve kryesorë, kohë pas kohe në episode të caktuara janë përfshirë karaktere të ndryshme që janë portretizuar nga emra të njohur hollivudianë.

Disa prej tyre ishin të famshëm që atëherë, si Brad Pitt e Julia Roberts, ndërsa të tjerët janë bërë të popullarizuar më vonë, siç është shembulli me Dakota Fanning e Giovanni Ribisi.

Brad Pitt është paraqitur në sezonin e tetë dhe luante një koleg që kishte shkuar në shkollë me Monican dhe Rachelin. Karakteri i tij e urren Rachelin, sepse kishte bërë shaka në dëm të tij. Ai më herët kishte qenë i plotë, njësoj sikur Monica, ndërsa duke shikuar karakterin që luante Pitt, vështirë se mund të besohej.

Chandler takon sërish shoqen e tij të klasës, Susie, të cilën e ka tallur në shkollë. Kjo vajza ka ardhur të hakmerret, ndërsa rolin e saj e luan Julia Roberts.

I njohur si ‘doktor House’ nga seriali i famshëm me të njëjtin emër, Hugh Laurie, e ka luajtur rolin e një zotërie që qëndron ulur pranë Rachelit gjatë udhëtimit me aeroplan drejt Londrës.

Komiku Charlie Sheen nuk ka munguar në këtë serial. Ai u shfaq në sezonin e dytë të “Friends” duke luajtur rolin e të dashurit të Phoebe.

Sean Penn ka luajtur rolin e Eric, i dashuri i motrës binjake të Phoebe. Ai mendon se e dashura e tij është një mësues e mirë që merret me punë bamirëse, mirëpo Phoebe ia thotë të vërtetën.

Bruce Willis e ka luajtur rolin e babait të të dashurës së Rosit. Veç kësaj, karakteri i tij, Paul Stevens, takohet me Rachelin dhe fillojnë të shoqërohen.

Rachel dhe Monica vendosin të organizojnë një ndejë për Phoebe dhe e ftojnë një striptist, rolin e të cilit e luan Danny DeVito.

Reese Witherspoon është paraqitur në serial si motra e zhvatëse e Rachelit, Jill. Ajo nuk punon dhe jeton nga prindërit e saj.

Jean-Claude Van Damme ka luajtur në sezonin e dytë. Protagonistët e serialit takohen me të në xhirimet e një filmi të tij.

Komiku tashmë i ndjerë, Robin Williams, ka luajtur rolin e një mashkulli që e ka tradhtuar bashkëshortja, ndërsa Billy Crystal e ka portretizuar mashkullin që e ngushëllonte mikun e tij të tradhtuar.

Ben Stiller, Winona Ryder, Alec Baldwin, Gary Oldman, Susan Sarandon, Brooke Shields, Charlton Heston, Jason Alexander, Morgan Fairchild, Kathleen Turner, Freddie Prinze Jr e Christina Applegate – janë disa nga yjet tjera të njohura që kanë luajtur në këtë serial të popullarizuar.