Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar me rastin e shënimit të 25-vjetorit të vrasjes së gjashtë të rinjve serbë në kafenenë ‘Panda’ në Pejë, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se Serbia vrau të rinjtë serbë dhe vazhdon ta fshehë të vërtetën edhe pas një çerek shekulli.
Sipas tij, kjo heshtje flet për mendësinë e pandryshuar politike të Serbisë karshi Kosovës.
“Përderisa të rinjtë shqiptarë të burgosur padrejtësisht ende i vuajnë pasojat e torturave brenda burgjeve serbe, në Serbi ende askush nuk është dënuar për këtë rast.
Prindërit e të vrarëve kanë kërkuar që Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të dëshmojë lidhur me deklaratat e tij. Ai kishte thënë se “krimi në “Panda” nuk është bërë nga shqiptarët”.
Shteti i Serbisë vazhdon të fshehë të vërtetën për vrasjen e të rinjëve serb edhe pas një ҫerek shekulli. Sikurse vazhdon të mos pranojë krimet e kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës 1998-99.
Kjo heshtje flet për mendësinë e pandryshuar politike të Serbisë karshi Republikës së Kosovës. Dëshmon për lidhjen e ngushtë mes mosnjohjes të së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohjes së pavarësisë sonë”, shkroi ai.