Simone Biles shkruan një faqe të rëndësishme në historinë e gjimnastikës botërore.
Gjimnastja amerikane vendosi një rekord të ri përsa u përket kampionateve botërore të kësaj disipline teksa arriti në kuotën e 25 medaljeve të fituara në total duke kaluar legjendën bjelloruse të gjimnastikës Vitaly Scherbo që është ndalur në kuotën e 23 medaljeve botërore të fituara në vitet 90.
Këtë sukses, 22 vjeçarja Biles e regjistroi në edicionin e radhës së Botërorit të gjimnastikës të mbajtur në Shtutgart të Gjermanisë. Dy medaljet e fundit Biles i fitoi ditën e diel në kërcimin e kalit dhe në traun e ekuilibrit që rezultuan të ishin edhe medalja e 18 dhe e 19 e artë në karrierën e saj.
“Kjo është paraqitja më e mirë që kam bërë ndonjëherë” -tha Biles pasi përfundoi këtë botëror të pestë të saj me 5 tituj në 6 kategori garash dhe tani ajo po planifikon te festojë këtë sukses sapo të kthehet në vendlindjen e saj në Texas.
Kjo është hera e parë që Biles e mbyll botërorin e gjimnastikës me 5 medalje të arta, por ajo shtoi se është 90% e sigurt se ai i Shtutgartit do të jetë botërori i saj i fundit.