image 23 vite nga vrasja e "Komandant Drinit", familjarët ende në kërkim të së vërtetës

Sociale

23 vite nga vrasja e “Komandant Drinit”, familjarët ende në kërkim të së vërtetës

news image

Më 8 maj të vitit 2000 ish-komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha-‘Drini’, ishte vrarë para shtëpisë së vet në Prizren.

Kjo vrasje pati ndodhur në rrethana misterioze. Drejtësia vendore dhe ndërkombëtare, edhe pas angazhimit, ka dështuar për gjetjen e vrasësve të tij.

23 vjet pas vrasjes së tij, familjarët ende kërkojnë zbardhjen e vrasjes së “Drinit”.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, familjarët kanë bërë të ditur që ende janë në pritje të së vërtetës teksa kanë njoftuar se do të bëjnë homazhe në Landovicë për të përkujtuar “Komandant Drinin” në përvjetorin e rënies së tij.

Ish-komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha-‘Drini’, u vra para shtëpisë së vet në lagjen “Bazhdarhane”, në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, sa po punonte drejtor për Emergjencë në Komunën e Prizrenit. Sapo kishte dalë në oborr ta ndezte veturën për të shkuar në punë dhe po shikonte gomën e parë të veturës, nga ana e shoferit e cila ishte shpuar qëllimisht, ishte qëlluar me armë automatike.

Për zbardhjen e vrasjes, nën drejtimin e ndërkombëtarëve në Prizren, janë mbajtur dy procese gjyqësore, por në mungesë provash, të akuzuarit, ish-pjesëtarë të UÇK-së, por edhe ish-shokë të “Drinit”, janë liruar. Procesi për ta zbardhur vrasjen më vonë u zhvendos në Prishtinë, ku në një proces tjetër me drejtësinë u përball ish-komandanti i Zonës së Dytë të TMK-së, gjeneral Sali Veseli, që ishte akuzuar për bashkëpunim në vrasje. Shkalla e Dytë e Gjykatës e pat prishur aktgjykimin e Gjykatës në Prizren që, siç është thënë, në mungesë provash liroi të akuzuarit.

/GazetaSinjali/